Partia Demokratike Evropiane dënoi ashpër deklaratën e Ministrit serb të Informacionit Boris Bratina, i cili tha se të rinjtë “nuk janë të vetëdijshëm se policia lokale ka të drejtë t’i rrahë dhe t’i vrasë”, sipas një deklarate.
“Në një kohë kur studentët dhe të rinjtë protestojnë në mënyrë paqësore, një retorikë e tillë kontribuon në një klimë të rrezikshme në të cilën dhuna policore legjitimohet në vend që të parandalohet. Kjo vjen mes shqetësimeve në rritje nga organizatat ndërkombëtare në lidhje me përdorimin e forcës, frikësimin e medias dhe presionin mbi shoqërinë civile në Serbi”, tha partia.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Evropiane, Sandro Gozi, theksoi se deklaratat e Bratinës janë tronditëse dhe të papranueshme, shkruan N1, transmeton KosovaPress.
“Asnjë qeveri demokratike nuk mund të sugjerojë, në mënyrë të qartë ose të tërthortë, se dhuna kundër qytetarëve të vet – veçanërisht të rinjve – është e justifikuar. Kjo është një vijë e kuqe. Presidenti Aleksandar Vuçiç mban përgjegjësi të plotë politike për këtë devijim të rrezikshëm. Nëse këto fjalë nuk tërhiqen menjëherë, Boris Bratina duhet të shkarkohet pa vonesë. Serbia nuk mund të pretendojë se po ecën drejt Evropës ndërsa toleron retorikën që normalizon shtypjen dhe frikësimin. Evropa qëndron me studentët, gazetarët dhe të gjithë qytetarët serbë që po mbrojnë në mënyrë paqësore të drejtat e tyre”, tha Gozi.
Partia Demokratike Evropiane përsëriti se respektimi i të drejtave themelore, liria e shprehjes dhe protesta paqësore janë kushte thelbësore për çdo vend që aspiron një të ardhme evropiane.
Disa parti dhe shoqata opozitare në Serbi kanë kërkuar shkarkimin e Ministrit të Informacionit dhe Telekomunikacionit në Qeverinë e Serbisë, Boris Bratina, për shkak të deklaratës së tij se “policia ka të drejtë të rrahë dhe vrasë studentë”.
