Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Dënohet me 1 mijë euro gjobë i akuzuari se goditi me grushte gruan me të cilën ishte në lidhje

I akuzuari B.S., pas pranimit të fajësisë lidhur me veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, që sipas aktakuzës ka sulmuar fizikisht të dëmtuarën A.Z., është dënuar me 1 mijë euro gjobë.

Shpallja e aktgjykimit u bë të mërkurën nga gjykatësi i rastit, Bujar Ahmeti në Gjykatën Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Moneytizer Paragrafi 2

Gjykatësi Ahmeti tha se i akuzuri obligohet që gjobën ta paguajë në afat prej 2 muajsh dhe atë në dy këste mujore. E në rast se nuk dëshiron apo nuk mund ta paguajë gjobën, e njëjta i zëvendësohet me dënim me burgim, ku një ditë burgim do t’i llogaritet për 20 euro të gjobës.

Ndërkaq, për realizimin e kërkesës pasurore -juridike për të dëmtuarën, Gjykata e udhëzoi në kontest civil.

Moneytizer Paragrafi 4

“Në të njëjtën kohë obligohet i pandehuri që në emër të shpenzimeve të procedurës penale dhe atë të paushallit gjyqësor të paguajë shumën 20 euro, në emër të ekspertizës mjeko-ligjore shumën prej 20 euro si dhe në emër të fondit për kompensimin e viktimave shumën prej 20 euro, të gjitha këto në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”, ka thënë gjyqtari Ahmeti.

I akuzuari B.S., të martën ka pranuar fajësinë dhe ka thënë se është penduar për veprimin e tij.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, që mban datën 26 korrik 2024, B.S., akuzohej se më 7 janar 2023, në Prishtinë, me dashje dhe me qëllim të shkaktimit të lëndimeve trupore, e ka sulmuar fizikisht të dëmtuarën A.Z., pas një mosmarrëveshje verbale duke e goditur me grushte në fytyrë dhe i shkakton lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin.

Në aktakuzë thuhet se në deklaratën e saj të dhënë në Polici, e dëmtuara A.Z., ka thënë se më 1 janar 2023, ishte duke ecur në qytet për ta pritur autobusin, në mënyrë që të shkojë në shtëpi dhe sipas saj, i akuzuari B.S e ka sulmuar me grushte.

“Unë fillova të bërtas dhe pastaj B.S iku dhe disa kalimtarë e kanë thirrë policinë dhe më kanë dërguar në QKUK për tretman. Unë dhe B.S kemi qenë në lidhje rreth dy javë”, citohet të ketë thënë e dëmtuara në hetuesi.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri është recidivist i veprave penale.

Lidhur me këto veprime, B.S., ngarkohej me veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” nga neni 185, paragrafi 1, nënparagrafi 1.4 të Kodit Penal.