
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, ka kërkuar përgjegjësi për rastin e 27-vjeçarit Agon Fejzullahu në Lipjan, i cili vdiq mëngjesin e së hënës.
Ajo tha se ky akt ishte shumë i rëndë dhe se përgjegjësia duhet të bartet nga të gjitha institucionet, përfshirë edhe ata politikë.
Sipas saj, Policia e Kosovës për vite të tëra ka pasur besueshmëri të madhe, por ky rast ka goditur rëndë këtë institucion.
Deliu: Duhet të ketë përgjegjësi për rastin e 27-vjeçarit në Lipjan
“Është akt shumë i rëndë dhe institucionet përgjegjëse, të cilat sot kanë qëndruar për dy ditë në heshtje – vetëm sot kishim deklarimin e zotëri Kurtit – duhet të marrin masa dhe përgjegjësit duhet të ofrojnë përgjegjësi në këtë rast të rëndë… Në këtë akt të rëndë, përgjegjësia duhet të bartet nga të gjithë dhe përgjegjësit duhet të marrin dënimin dhe përgjegjësinë e merituar. Por mbetet që institucionet e drejtësisë të thonë fjalën e tyre… Policia ka qenë për vite të tëra me një besueshmëri të madhe, por këto raste kanë goditur këtë institucion”, tha ajo.
Këto komente ajo i bëri duke hyrë në objektin e Kuvendit të Kosovës, në përpjekjen e 44-të për konstituimin e Kuvendit. Ajo përsëriti qëndrimin e PDK-së, ku akuzoi LVV-në se po mban peng konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.