Deputetja e zgjedhur e Partisë Demokratike të Kosovës, Sala Jashari, ka deklaruar se kjo parti nuk do ta japë votën për zgjedhjen e presidentit pa një marrëveshje politike.
Jashari tha se vota për president duhet të jetë pjesë e një dakordimi dhe se PDK-ja nuk synon vetëm pushtetin, por edhe përfaqësimin e qytetarëve që e kanë votuar.
“Pa marrëveshje, PDK-ja nuk ka votë për president, gjë që është demokratike. Kam dëgjuar se një pjesë e shoqërisë mendojnë që ne duam pushtet, por ne kemi hyrë në garë për pushtet dhe është krejt normale që duam të kemi një pjesë të shërbimit ndaj popullit, sepse për këtë jemi votuar”, ka thënë Jashari.
Ajo ka shtuar se sipas saj, PDK-ja ka dhënë kontribut në ndërtimin e institucioneve të Kosovës dhe se duhet të ketë reflektim për proceset politike.
“Është shumë e nevojshme që të reflektohet, sepse ne kemi dështuar në shumë faza dhe në shumë çështje të tjera. Unë besoj se duhet të reflektohet që PDK-ja ka punuar për vendin dhe ka dhënë kontribut në bazat themelore të një shteti funksional”, është shprehur ajo.
Jashari ka folur edhe për qeverisjen e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke thënë se sipas saj, nuk janë realizuar shumë nga premtimet e bëra.
“Unë mendoj se nuk kanë bërë diçka shumë të rëndësishme prej atyre që kanë premtuar. Besoj se fokusi kryesor ka qenë pjesa veriore, duke e harruar pjesën tjetër”, ka deklaruar Jashari.
Sipas saj, veprimet në veri mund të konsiderohen si një arritje, por ajo ka kritikuar mënyrën se si, sipas saj, janë lënë anash qytetarët e tjerë.
“Arritja për të vendosur një baraspeshë mes luftës çlirimtare dhe asaj në veri është diçka e rëndësishme, por nuk do të thotë që duhet ta lëmë shumicën jashtë kësaj kornize. Nuk duhet të funksionosh vetëm në një drejtim dhe të harrosh qytetarin tënd, i cili ka nevojë sot më shumë se kurrë”, ka përfunduar Jashari.
