Deputetja që u largua nga Partia Socialiste e Shqipërisë, Marjana Koçeku, ka reaguar kundër mundësisë së hapjes së një konsullate serbe në Shkodër, duke paralajmëruar protesta kundër kësaj nisme.
Në një reagim publik, Koçeku deklaroi se kjo çështje nuk do të kalojë lehtë dhe se qytetarët e Shkodrës pritet të protestojnë të dielën kundër hapjes së konsullatës.
“Para dy ditësh filluen gërmimet në Zubin Potok për gjetjen e trupave të viktimave të luftës së Kosovës. Dyshohet për nji varrezë masive me 23 intelektualë të vramë nga forcat serbe, ndërsa deri më tash janë gjetë trupat e 6 prej tyne. Dje, gjatë bastisjeve, u gjet edhe armatim, si dhe u arrestue nji person që kishte qenë anëtar i Armatës Jugosllave. Ndërkohë që po ndodhin të gjitha këto, shteti shqiptar flet për hapjen e konsullatës serbe në Shkodër. Po çfarë konsullate more?! Deri më sot për këtë çështje ka vetëm sqarime të turbullta nga institucionet shqiptare, pra përpjekje me mos me sqaru hiç. Flitet për parime diplomacie, marrëdhanie bilaterale, përfitime ekonomike por harrojnë ma të randësishmen: realitetin e nji populli të masakruem. Të dielën pritet të nisin protestat në Shkodër kundër hapjes së konsullatës serbe. Kjo nuk asht nji punë që kalon lehtë. Ndërkohë që shteti shqiptar flet për konsullatë e fqinjësi të mirë me Serbinë, në Kosovë vazhdojnë të gjenden varre masive trupash të vramë edhe tash mbas 25 e kusur vitesh”, shkruan Marjana Koçeku.
Ajo kritikoi institucionet shqiptare, duke thënë se deri më tani kanë dhënë vetëm “sqarime të turbullta” për këtë çështje dhe se po përpiqen ta shmangin debatin.
