Opinionisti Dedë Preqi ka kritikuar Osmani për iniciativën e fundit për të shqyrtuar amandamentin kushtetues që parashikon zgjedhjen e presidentit nga populli, duke vënë në dukje se nuk ka pasur përmendje të këtij amandamenti që nga viti 2011.
Ai vlerëson se deklaratat e presidentes vijnë në momentin kur po afron përfundimi i mandatit të saj dhe duket si një nxitim për ambicie personale.
Po ashtu, ai Preqi sugjeron se Kushtetuta ka nevojë për korrigjime dhe plotësime, përfshirë zgjedhjen e presidentit nga populli, por interpretimi i fundit duket si një “dëshirë për pushtet”.

Opinionisti Dedë Preqi
“Pse i bie në mendje tani presidentes Osmani që ky amandament kushtetues të shqyrtohet tani dhe ta marrë pikën vendimtare, që presidenti ose presidentja e vendit të zgjidhet nga populli, duke iu referuar punës së komisionit për këtë amandament kushtetues të vitit 2011.
Prandaj, mjafton ta shohim me kujdes dhe të analizojmë deklaratën e presidentes në këto momente kur është afruar të përfundojë mandati i saj, duke e ditur se deri më tani nuk ka asnjë gjurmë të mëhershme për të vërtetuar se për këtë amandament është përfolur që prej vitit 2011, ndërsa tani ka ca më pak kohë për të realizuar një qëllim të tillë.
Edhe pse deklaratën e presidentes Osmani nuk e anashkalon kryekuvendarja e Parlamentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, duke thirrur seancën e veçantë për të shqyrtuar këtë amandament, me ç’rast opozita e përbërë nga PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe, nuk e merr seriozisht një gjë të tillë, duke mos marrë pjesë në seancë për të plotësuar kuorumin për mbajtjen e saj.
E gjithë kjo nënkupton se në Kushtetutën e Kosovës duhet të bëhen disa korrigjime dhe plotësime të amandamenteve, sikur edhe zgjedhja e presidentit të bëhet nga populli. Mirëpo, me këto interpretime të momentit nga presidentja Osmani, duket sikur janë nxitime të vonuara, apo “dëshira” dhe ambicie për pushtet”, është shprehur ai.
Tutje, Preqi ka kritikuar procesin e ndryshimeve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit në Kosovë, duke theksuar se zgjedhjet e kaluara kanë sjellë konflikte politike dhe paqartësi.
Ai vlerëson se kritikat e jashtme dhe të brendshme shpesh janë të ekzagjeruara, të paqëndrueshme dhe me qëllime të dyshimta.
“Zgjedhja e presidentit në Kosovën e pasluftës gjithherë ka sjellë paqartësi dhe probleme të interesit politik e ndërpartiak, por lakuriqësia për të cilën po flitet tani është krejt ndryshe, sepse po flitet për një amandament kushtetues, që kërkon kohë për t’u ndryshuar dhe adaptuar.
Megjithatë, vërejtjet dhe kritikat janë nga të gjitha anët e vendit dhe jashtë, të cilat ne duhet t’i pranojmë, edhe pse disa kritika janë të ekzagjeruar dhe e kanë thumbin e helmuar, dhe nuk janë sugjerime dhe këshilla që na mësojnë për të mirë, por përkundrazi ka diçka brenda tyre apo një përzierje të blatuar, të dyshimtë dhe të paefektshme.
Nuk mund të fshihet zëri i popullit të këtij vendi, i cili po përpiqet të mbijetojë me kushtet e veta ekzistenciale, të cilat nuk mund ta gëzojnë mirëqenien ashtu sikur që e meriton.
Sigurisht që kjo shoqëri kosovare nën udhëheqjen e liderëve të saj politik e meriton një kritikë të madhe, e cila duhet të jetë e vetëdijshme për pikat e saj të dobëta, që për fat të keq, më shumë është duke rrënuar mbi themelet e shtetit dhe pavarësisë së vet, se sa duke ndërtuar diçka të mirë mbi shtatin e saj.
Pavarësisht nga të gjitha këto çrregullime të përbashkëta dhe materies së saj, këtë vend dhe shtet të cilin e krijuam me shumë mund dhe gjak, mos ta humbim për interesa personale dhe partiake, duke e abuzuar dhe vetëshkatërruar me qëllim për një karrige të presidentit ose kryeministrit, sepse këto abuzime do t’i paguajnë pasardhësit tanë”, ka përfunduar Preqi për “Bota sot”.
