Dëshmia e holandezit, Koen Herlaar kryesisht po zhvillohet në seancë private.
Eksperti i kriminalistikës në Institutin e Kriminalistikës në Holandë ka folur për ekzaminimin që i kanë bërë “dokumentit 4213”. Ai pohoi se Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte kërkuar ekzaminimin e dokumentit mbi bazën e mikropikave.
Gjatë pyetjeve të avokatit të Bashkim Smakajt, Jonathan Elystan Rees, ky dëshmitar tha se nuk janë ekzaminuar të gjitha faqet në tërësi, por vetëm tri prej tyre.
Tutje, ai tha se nga institucioni kërkues ishte kërkuar mendimi se faqet e këtij dokumenti a ishin printuar nga i njëjti printer.
Dëshmitari holandez pohon se nuk ekzaminoi të gjitha faqet e një dokumenti
Dëshmitari: Pyetja e parë që u bë, që na u bë ne ishte që na u kërkua të shqyrtonim, të ekzaminonim dokumente mbi bazën e mikropikave dhe ne i kërkuam institucionit kërkues në qoftë se duhej që të ekzaminonim të gjitha faqet apo një kampion të faqeve. Ne i thamë që ka dy opsione, ja thamë këtë institucionit kërkues dhe nuk e di në qoftë se ka qenë aspekti i kostos apo ka pasur aspekte të tjera, sepse na u dha përgjigje që na u dha, por ata na thanë se si të vijonim më tej.
Avokati: Si rezultat nga këto 10 faqe, ju nuk keni ekzaminuar shtatë prej tyre, a është e saktë?
Dëshmitari: Po.
Avokati: Kështu që ju nuk mund të konfirmoni fare praninë e mikropikave në këto shtatë faqe që nuk i keni ekzaminuar. A është e saktë kjo dëshmitar?
Dëshmitari: Po është e saktë.
Avokati: As nuk konfirmoni dot nëse modeli i mikropikave në qoftë se mikro pikat kanë qenë të pranishme në këto shtatë faqe, përkonin ose ishin të njëjta me mikro pikat në tre faqet që keni ekzaminuar, a është kështu?
Dëshmitari: Po, është e saktë”, u përgjigj dëshmitari holandez.Me dëshminë e ekspertit të kriminalistikës do të vijohet pas pushimit të drekës nga ora 14:30, e cila transmetohet me 45 minuta vonesë.
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka nisur dëgjimi i këtij dëshmitari nga mëngjesi.
Ky është dëshmitari i dytë në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit për pengim të drejtësisë.
Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi, të cilët akuzohen për pengim të drejtësisë, janë deklaruar të pafajshëm para trupit gjykues.
Prokuroria pretendon se posedon dëshmi, përfshirë audio-incizime nga Qendra e Paraburgimit në Hagë.
Avokatët mbrojtës kanë kundërshtuar këto pretendime dhe kanë thënë se provat e Prokurorisë nuk dëshmojnë kryerjen e veprave penale për çka akuzohen.
Hashim Thaçi dhe të tjerët akuzohen nën pretendimet se gjatë vizitave më 2023 në Hagë i kanë dhënë udhëzime dhe informacione konfidenciale dëshmitarëve për gjykimin për krime lufte.
