Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Dështimet varg, asnjë shenjë drejt konstituimit të Kuvendit, pasnesër vazhdimi i nëntë i seancës

 
   

Përpjekja e tetë për konstituimin e Kuvendi i Kosovës përfundoi me dështim të radhës këtë të marte.

E propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiut, herën e gjashtë i mori 56 vota, nga të paktën 61 vota të nevojshme për t’u zgjedhur. Kundër votuan 41 deputetë, ndërsa tre abstenuan.

Vetëvendosje nuk po heq dorë nga kandidimi i Haxhiut për kryeparlamentare. Nga ana tjetër, opozita po e quan atë figurë përçarëse.

Seanca konstituive do të vazhdojë pasnesër, më 1 maj, në orën 10:00, bëri të ditur kryesuesi i kësaj seance, Avni Dehari.

Seanca konstituive është obligim të mbahet çdo 48 orë pas ndërprerjes.

Murati-VV: Ka deputetë të opozitës që do të votonin për, qëndrimet partiake s’i lejojnë

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, tha se ka deputetë nga ana e opozitës që dëshirojnë që të votojnë pro Albulena Haxhiut për kryeparlamentare, por që kjo, sipas tij,  nuk po iu lejohet nga partitë e tyre.

Siç e patë kemi një përsëritje të seancave të kaluara. Kjo vjen si rezulatat për shkak se një pjesë e deputetëve refuzon që të votojë për Albulena Haxhiun. Konsideroj që një situatë e tillë po vjen për shkak të atyre që nuk po votojnë për dhe të njëjtit po ankohen që po ka bllokadë. Ka akuza që po kërkohet që të votohet me zor. Ne kemi dëgjuar se deputetë individualë kanë shprehur dëshirë që të votojnë për, por jam qëndrimet partiake që nuk po i lejojnë”, tha Murati.

Krasniqi-PDK: Demokracia funksionon me shumicë dhe jo me imponim

Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi, tha se demokracia funksionon me shumicë dhe jo me imponim.

Deklaratën e bëri pas dështimit të përpjekjes së tetë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, raporton Ekonomia Online. 

Shpreh keqardhje për këtë tallje që po bëhet nga ana e partisë së parë, e cila për të tetën herë na mbledh në Kuvend dhe sillet me mentalitetin e njëjtë. Demokracia funksionon me shumicë e jo me imponim. Institucionet janë të popullit dhe jo të një partie politike. Duhet të kuptohet se ka shkuar koha e udhëheqjes së një partie. Shpreh keqardhje”, tha Krasniqi.

Haradinaj-AAK: Shpresoj se VV-ja do të propozojë kandidaturë unifikuese për kryetar të Kuvendit

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se qëndrimi i AAK-së është i njëjtë. Pas dështimit të vazhdimit të tetë të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Haradinaj tha se shpreson se Vetëvendosje do të propozojë një kandidaturë unifikuese për kryetar të Kuvendit.

Qëndrimi nuk ka ndryshuar. Vetëvendosje e ka mundësinë ta kryejë këtë përgjegjësi, meqenëse i kemi dhënë opsione: kandidatura potencialisht të tjera dhe shpresoj që në seancë ta propozjnë kandidaturë unifikuese”, tha Haradinaj.

Bajrami: E turpshme që s’u konstituua Kuvendi, VV-ja po i mban peng institucionet

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, tha se është e turpshme që as të martën s’u konstituua Kuvendi, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po i mban peng institucionet e Kosovës, duke shtuar se “kjo po iu kushton qytetarëve”.

“Pengmarrja e institucioneve nga ana e  Vetëvendosjes po iu kushton qytetarëve. Ata përballen me probleme të ndryshme e ato si adreson askush. Na vjen keq që në bazë të rezultatit dhe vullnetit tonë jemi pjesë e Kuvendit, por pa dashje jemi pjesë e këtij teatri që tashmë po besoj është bërë mjaft për secilin qytetar të Kosovës”, tha Bajrami.

Limaj s’e përjashton mundësinë e zgjedhjeve të reja

Kryetari i Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj nuk e përjashton mundësinë e zgjedhjeve të reja në situatën e krijuar të bllokadës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe më pas formimit të qeverisë.

“Nëse nuk ka kapacitet dhe pjekuri, nuk ka hapësirë për një zgjidhje, atëherë zgjidhje tjetër janë zgjedhjet e reja. Por duhet dikush të mbajë përgjegjësi”, tha Limaj pas vazhdimit të tetë të seancës konstituive të Kuvendit.