Lajme

Dështon seanca për gazin lotsjellës, mungojnë ministrja Fitore Pacolli-Dalipi dhe deputeti Salih Zyba

Një seancë gjyqësore për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës dështoi të premten në Prishtinë për shkak të mungesës së të akuzuarve, përfshirë ministren e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli-Dalipi, dhe deputetin Salih Zyba.

Seanca nuk u mbajt pasi të akuzuarit Pacolli-Dalipi, Drita Millaku dhe Zyba nuk ishin të pranishëm në gjykatë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjyqtari i çështjes, Sabit Sadikaj, tha se Zyba kishte njoftuar gjykatën për pamundësinë e pjesëmarrjes për shkak të një seance plenare në Kuvendin e Kosovës, ndërsa Pacolli-Dalipi kishte arsyetuar mungesën e saj.

Për të akuzuarën Millaku, gjykata nuk ka konfirmim nëse ajo e ka pranuar ftesën për seancën, pasi kjo nuk rezulton nga fletëkthesa, shtoi Sadikaj.

Gjykata do të lëshojë urdhër për sjellje me detyrim për të akuzuarit, ndërsa mbrojtësit e tyre do të ftohen në mënyrë të rregullt.

Në seancë ishte i pranishëm prokurori i shtetit, Avni Namani.

Në këtë rast, për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në mars të 2018-ës, bashkë me Zybën akuzohen ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deputetja Fitore Pacolli-Dalipi dhe ish-deputetja Drita Millaku.

Ndryshe, në seancën e 16 janarit 2026, i akuzuari Zyba ngriti dyshime për konflikt interesi të prokurorit, duke theksuar se ai mund të ketë lidhje familjare me ish-sekretarin e Kuvendit, dhe kërkoi verifikimin e kësaj lidhjeje, si dhe përjashtimin e prokurorit për shkak të ndikimit të mundshëm dhe joprofesionalizmit.

Po ashtu, në seancën e 16 janarit 2026, Gjykata vendosi të veçojë procedurën penale ndaj Xhelal Sveçlës, i cili mungoi në seancë, duke njoftuar me e-mail se gjendet jashtë vendit.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 6 qershor 2024 ka konfirmuar aktakuzën Sveçlës, Millakut, Zybës dhe Pacolli-Dalipit, për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend në mars të 2018-ës. Kurse, vendimin e Themelores e vërtetoi më pas Gjykata e Apelit.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 26 mars 2024, katër të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.

Ministri Sveçla dhe tre deputetët Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi akuzoheshin edhe për veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, por për këtë vepër në seancën fillestare gjykatësi i rastit Sabit Sadikaj, kishte njoftuar se ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

“Betimi për Drejtësi”, në tetor të vitit 2021 kishte raportuar ekskluzivisht për aktakuzën e ngritur ndaj ministrit Sveçla dhe deputetëve Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e cila rezulton të jetë ngritur më 29 korrik 2019, Sveçla, Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi po akuzohen se më 21 mars 2018, rreth orës 12:10 e deri në orën 15:40, kanë ndezur disa bombola të gazit lotsjellës, të cilat i kishin hedhur brenda sallës së Kuvendit të Kosovës, ku po mbahej seanca plenare.

Aty thuhet se si rrjedhojë e kësaj, të gjithë deputetët ishin detyruar ta lironin sallën e Kuvendit, me ç’rast kanë pamundësuar vazhdimin e seancës.

Me këtë, secili veç e veç akuzohen se kanë kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, kryerësi i së cilës dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.

Kurse, sipas dispozitivit të dytë, thuhet se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, pasi kanë penguar deputetët e Kuvendit të Kosovës ne kryerjen e detyrave zyrtare. Kryerësi i kësaj vepre dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet. 

Të Ngjashme