Mësohet se trupi i pajetë i Gezim Vijës u gjet mëngjesin e së enjtes nga punonjësi i postës, i cili shpërndan pensionet.
Ai e ka thirrur 78-vjeçarin për të dalë dhe kur nuk ka marrë përgjigje, ka njoftuar fqinjët e tij dhe më pas kanë hapur derën e shtëpisë, ku në një prej dhomave gjendej trupi i pajetë i të moshuarit.
Ekspertiza mjeko-ligjore ka konstatuar se 78-vjeçari kishte një plagë të thellë në kokë, e shkaktuar me mjet të fortë, çka i ka sjellë vdekjen.
Dyshohet se autori dhe viktima janë përleshur para se 78-vjeçari të qëllohej për vdekje me mjet të fortë.
Policia dhe ekspertët janë kthyer sot në vendin e ngjarjes, ndërsa ende nuk është gjetur mjeti me të cilin u krye vrasja.
Vazhdon marrja në pyetje e familjarëve dhe të afërmve të viktimës, por deri tani deklarimet e tyre nuk kanë dhënë informacione të vlefshme që do orientonin policinë drejt identifikimit të autorit.
