Detaje tronditëse kanë dalë në dritë në gjyqin për vrasjen e studentes shqiptare Ilaria Sula në Itali, pasi në seancën e fundit dëshmoi nëna e autorit të dyshuar, Mark Samson.
Ajo rrëfeu para gjykatës momentet para dhe pas krimit, duke treguar se kishte dëgjuar një debat të fortë mes djalit të saj dhe 22-vjeçares në dhomën e tij në banesën e familjes në Romë.
Sipas dëshmisë, mëngjesin e 26 marsit djali i saj kishte përgatitur dy filxhanë kafe dhe i kishte thënë se në dhomë ndodhej Ilaria. Pak më vonë, gruaja tha se dëgjoi të dy duke u grindur me zë të lartë, por nuk ndërhyri.
Më pas, kur arriti të hapte derën e dhomës, ajo deklaroi se pa djalin duke qarë dhe trupin e Ilarias të shtrirë në dysheme, me shumë gjak rreth kokës.
“E pyeta: ‘Çfarë ke bërë?’ dhe më pas më ra të fikët”, tregoi ajo para gjykatës.
Gruaja tha se djali i saj i kishte thënë se vajza e kishte tradhtuar dhe se “Ilaria kishte ikur”. Sipas saj, më pas ai kërkoi një çantë dhe një valixhe të madhe, ndërsa ajo pranoi se e kishte ndihmuar të pastronte gjakun në dhomë nga frika dhe për të mbrojtur të birin.
Prokuroria italiane akuzon Samson për vrasje me dashje si edhe për fshehje kufome. Trupi i studentes shqiptare u gjet disa ditë pas zhdukjes, i futur në një valixhe dhe i hedhur në një zonë pranë Romës.
Në seancë ishin të pranishëm edhe familjarët e viktimës, të cilët kërkojnë drejtësi për vajzën e tyre. Seanca e radhës, ku pritet të dëshmojë vetë i akuzuari, është caktuar për 17 mars.
