Aktuale

Detajet e fundit për ngjarjen e frikshme në Tiranë: Një burrë përplas disa makina në rrugë, futet me hanxhar në një lokal dhe tmerron klientët. Përplasje e fortë dhe me policinë

Një ngjarje e rëndë ka shkaktuar panik këtë të premte në Tiranë, ku një 34-vjeçar ka përplasur disa automjete, ka hyrë i armatosur me hanxhar në një lokal dhe ka kanosur qytetarët, duke sjellë momente frike për të pranishmit.

Sipas njoftimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit Nr. 7 arrestuan shtetasin F. M., 34 vjeç, banues në Fushë Krujë, pas përfundimit të veprimeve të para hetimore.

Nga hetimet rezulton se 34-vjeçari fillimisht ka përplasur me automjetin që drejtonte tre makina në rrugën e Rinasit, duke shkaktuar vetëm dëme materiale. Pas këtij episodi, ai është drejtuar drejt një lokali në zonë, ku ka marrë një mjet prerës, tip hanxhar.

I armatosur me këtë mjet, ai ka kanosur qytetarët që ndodheshin në ambientet e lokalit, duke krijuar situatë paniku, si dhe ka dëmtuar një automjet dhe celularin e drejtuesit të tij.

Ndërhyrja e parë është bërë nga shërbimet e Forcave Detare të Ministrisë së Mbrojtjes, të cilat ndodheshin rastësisht në këtë aks rrugor dhe kanë arritur ta neutralizojnë fillimisht 34-vjeçarin. Më pas në vendngjarje kanë mbërritur edhe shërbimet e Policisë, të cilat kishin marrë njoftimin për incidentin.

Gjatë shoqërimit në ambientet e Policisë, shtetasi F. M. ka kundërshtuar me dhunë efektivët, duke e bërë më të vështirë ndërhyrjen e forcave të rendit.

Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se 34-vjeçari ishte shpallur në kërkim për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. /noa.al

Të Ngjashme