Lajme

Dialogu Kosovë–Serbi nën presion, a do arrijë Konjufca ta ndryshojë ‘lojën’?

Pas formimit të qeverisë së re të Kosovës, që shënon fillimin e mandatit të tretë të qeverisë Kurti, disa emërime brenda kabinetit qeverisës kanë tërhequr vëmendje të veçantë, duke reflektuar sfidat e mëdha politike dhe diplomatike që përballen vendi. Një nga emërimet më të rëndësishme është ai i Glauk Konjufcës, i cili do të shërbejë si zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Jashtëm.

Roli i Konjufcës vjen në një moment kur dialogu Kosovë-Serbi mbetet një çështje qendrore për stabilitetin rajonal dhe për konsolidimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës. Ai do të ketë përgjegjësinë të udhëheqë politikën e jashtme të vendit, të përfaqësojë Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe të avancojë objektivat e integrimit evropian.

Emërimi i tij ngre pyetje të rëndësishme mbi pritshmëritë që lidhen me rolin që do të luajë në dialogun me Serbinë, në zhvillimet diplomatike të vendit dhe në mënyrën se si mund të ndikojë në marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë. Përveç sfidave të politikës së jashtme, ai pritet të ndikojë edhe në koordinimin e politikave brenda qeverisë dhe në përshpejtimin e angazhimeve të Kosovës drejt Bashkimit Evropian.

Në këtë kontekst, Glauk Konjufca do të jetë një figurë kyçe për vizionin e qeverisë Kurti 3 në politikën e jashtme dhe për avancimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke bërë të qartë se çfarë mund të arrijë vendi në marrëdhëniet diplomatike dhe në procesin e integrimit evropian.

Shabani: Duket e hutueshme zhvendosja nga një funksion në tjetrin, por nuk do të thotë se nuk mund të ketë sukses

Image
Amir Shabani

E për këtë çështje, për “Bota sot” foli njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Amir Shabani.

Se pari, ai foli për ndryshimet brenda kabinetetit qeverisës, derisa tha se nuk ka ndonjë vërejtje për punën e Konjufcës, mbetet të shihet si do veprojë në krye të diplomacisë.

Këtu përmendi, zhvendosja nga një funksion në tjetrin, por që sipas tij nuk do thotë që s’do ketë sukses.

“Tani më kur përfundimisht u kompletua kabineti qeveritar i Kosovës në krye me Albin Kurtin, një ndër emrat e përfolur në opinion është edhe ish-kryeparlamentari Glauk Konjufca i cili u emërua zv.kryeministër i parë dhe ministër i jashtëm. Emri i tij është mjaft në fokus sa i përket zhvillimeve politike në Kosovë, veçanërisht politikës parlamentare i cili ka kaluar në pozita të ndryshme brenda Kuvendit të Kosovës, nga deputet e deri në zv.kryetar i Kuvendit.

Nuk mund të paragjykoj asgjë sa i përket pozicionimit të tij në krye të diplomacisë së vendit, ndonëse nuk kam vërejtje për punën dhe paraqitjen e deritanishme të tij. Në parim, mund të duket e hutueshme zhvendosja nga një funksion në tjetrin, por nuk do të thotë se nuk mund të ketë sukses”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, njohësi i çështjeve ndërkombëtare, foli edhe për atë se çfarë ndikimi mund të ketë Konjufca në dialohun me Serbinë.

Në këtë pikë, beson se Konjufca do jetë figura e duhur për përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe përforcimin e marrëdhënieve diplomatike

Dialogu Kosovë-Serbi është një maratonë që nuk i shihet caku, së paku në këto periudha që jetojmë, ndonëse një përfundim të tij mund të realizohet vetëm nëpërmjet partneritetit strategjik me SHBA-të. Besoj se do jetë një figurë e përshtatur për përfaqësimin e Kosovës në forumet ndërkombëtare dhe përforcimin e marrëdhënieve diplomatike, si dhe për zhvillimin e procesit të integrimit euro-atlantik të Kosovës”, përfundoi Amir Shabani për “Bota sot”.

Nimani: Konjufca të kontribuojë në një qasje më të strukturuar dhe koherente në dialogun Kosovë–Serbi

Ndërsa, analisti Artan Nimani, theksoi se. emërimi i Konjufcës si zv.kryeministër me ministër i Jashtëm, vjen në një fazë të ndjeshme.

Image
Artan Nimani

Për këtë, ai në bashkëbisedimin me “Bota sot” u shpreh se ka pritshmëri ndaj ministrit të ri të MPJD-së, derisa pret të ketë kontribut edhe në dialogun në Bruksel.

“Emërimi i z. Glauk Konjufca në pozitën e Zëvendëskryeministrit të Parë dhe Ministrit të Punëve të Jashtme përkon me një fazë të ndjeshme të konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës. Pritshmëritë janë që ai të kontribuojë në një qasje më të strukturuar dhe koherente në dialogun Kosovë–Serbi, nën ndërmjetësimin e Bashkimi Evropian, duke ruajtur parimet kushtetuese dhe interesin shtetëror”.

Ndërsa, Nimani tha se duhet të punohet shumë në aspektin diaplomatik dhe të rikthehet besimi dhe partneriteti me SHBA dhe shtetet aleate të BE-së.

Po ashtu, pret që këtë mandat qeverisës të ketë një intensifikim të angazhimit diplomatik të Kosovës.

Në planin diplomatik, mbetet thelbësore rikthimi dhe forcimi i besimit me partnerët strategjikë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet kryesore të BE-së, si parakusht për avancimin e agjendës euro-integruese.

Në përgjithësi, pritet një intensifikim i angazhimit diplomatik dhe një konsolidim i pozitës ndërkombëtare të Kosovës, ndonëse efektet konkrete do të varen nga hapësira politike dhe dinamika rajonale”, përmbylli Artan Nimani për “Bota sot”.

Të Ngjashme