Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Diaspora, bastion më i fuqishëm i fitores së LVV-së – mbështeti rekordet historike të Kurtit!

 
   

Roli i diasporës në procesin zgjedhor të Kosovës ka marrë gjithnjë e më shumë rëndësi, duke u shndërruar në një faktor të dukshëm në stabilitetin dhe suksesin e partive politike.

Mirëpo, zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit të kaluar ofruan një shembull të qartë të kësaj dinamikë, ku Lëvizja Vetëvendosje (LVV) regjistroi një rezultat jashtëzakonisht të lartë në votimet jashtë vendit, përkatësisht në përfaqësitë diplomatike të Kosovës.

Sipas të dhënave zyrtare, LVV-ja mori gjithsej 13,899 vota, që përbën 86.74% të totalit të votave të diasporës.

Ky rezultat tregon qartë se mbështetja e diasporës për LVV-në është jashtëzakonisht e fortë, duke e bërë mërgatën një ‘bastion’ kyç të partisë.

Mbështetja e jashtëzakonshme e diasporës nuk është thjesht një tregues i votave të sigurta, por edhe një element vendimtar që ka ndikuar në arritjen e mbi 50% të votave në nivel kombëtar.

Në këtë kuadër, roli i diasporës nuk duhet të shihet thjesht si një numër votash, por si një indikator i rëndësishëm i mbështetjes politike, strategjisë së mobilizimit të votuesve dhe ndikimit të politikave që lidhen me emigrantët dhe komunitetet jashtë vendit.

Ky fenomen reflekton aftësinë e LVV-së për të mobilizuar komunitetin jashtë vendit dhe për të shfrytëzuar lidhjet historike, sociale dhe politike me diasporën në mënyrë të qëllimshme dhe efektive.

E në lidhje me atë se si ndikuan votat e diasporës në këto zgjedhje dhe sa e ndihmuan LVV që të marrë 50 për qind të votave, për “Bota sot” folën njohësit e çështjeve politike.

Gacaferi: Diaspora voton nga bindja 100%

Së pari, anëtari i Listës Guxo, Luan Gacaferi vlerëson se bastioni më i madh  i LVV-së është diaspora.

 Image
 Luan Gacaferi 
 

“Pa asnjë dyshim, diaspora ishte e mbetet bastioni me i madh i Vetëvendosjes dhe partisë Guxo!”.

Krahas kësaj, ai vlerëson se diaspora do vazhdojë ta votojë në mënyrë masive Kurtin, nëse vazhdon të punojë kështu siç ka punuar deri tani.

Sipas tij, diaspora voton me bindje dhe jo me interesa personal e që lidhen me pushtet.

“E unë besoj qe diaspora do vazhdoj të votojë me shumicë absolute VV GUXO për sa kohë këto parti të punojnë për shtet e jo xhep!

Diaspora voton nga bindja 100%, sepse nuk ka asnjë interes tjetër qe e lidh me pushtetin, përveç interesit për shtet!” – përfundoi Luan Gacaferi për “Bota sot”.

Qarri: Bastioni më i madh dhe më i fuqishëm i kryeministrit Kurti dhe LVV-së është dhe mbetet Kosova

Kurse, analisti Gani Qarri u shpreh se, fitorja e Kurtit në zgjedhjet e dhjetorit ishte e madhe, ku votat thyen edhe një rekord të ri.

Sipas tij, qytetarët i ndëshkuan partitë opozitare, të cilat i bllokuan institucionet për disa muaj.

“Fakti se kryeministrin Albin Kurti, zgjedhjet e 28 dhjetorit e nxorën personalitetin e vitit, dhe liderin politik më të votuar ndonjëherë në Kosovë duke thyer rekord të ri me mbi 385 mijë e 447 vota, flet më së miri se qytetarët i kanë kuptuar drejtë sukseset e Qeverisë në shtrirjen e shtetësisë në veri dhe të rendit e të ligjit në gjithë Kosovën, deri te luftimi i fajdexhinjve dhe sistemit të fajdeve të lëna trashëgimi nga qeverisjet e kaluara.

Fitorja spektakolare e Kurtit dhe LVV-së, shpreh veçanërisht mllefin e madh të grumbulluar tek qytetarët, për bllokadën mbi 9 mujore të institucioneve të shtetit nga partitë e inkriminuara opozitare.

Parti të cilat me mosvotimin e buxhetit përveç përkeqësimit të gjendjen sociale të qytetarëve, rrezikuan edhe funksionalitetin e shtetit të Kosovës, kurse me mosmiratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, rrezikuan edhe humbjen e ndihmave prej mbi 1 miliardë eurove, të ndara nga BE dhe Banka botërore për Kosovën”.

Në këtë pikë, Qarri për “Bota sot” potencoi se, “bastion” kryesor i LVV janë qytetarët e Kosovës, ndonëse edhe diaspora përbën një lloj “bastion”.

Ai vlerëson se, për opozitën kjo është një humbje e madhe, ndërsa për Kurtin fitore spektakolare.

“Ndaj bastioni më i madh dhe më i fuqishëm i kryeministrit Kurti dhe LVV-së është dhe mbetet Kosova e qytetarët e saj, nuk është diaspora edhe nëse ajo shihet si bastion i LVV-së, jashtë vendit, kurse faktori kyç dhe treguesi vendimtar që Kryeministri Kurti theu rekordin e të gjitha viteve të pasçlirimit, duke marrë mbi 385 mijë e 447 vota dhe LVV gati 50-51% të votave, janë faktor dhe përqindje e numrit të përgjithshëm të votuesve të Republikës së Kosovës.

Pra treguesi vendimtar dhe i patjetërsueshëm i fitores impozante të LVV-së është humbja katastrofale e partive opozitare, të cilat me mbajtjen e vendit mbi 9 muaj nën bllokadë të hekurt duke mos lejuar krijimin e Qeverisë as të institucioneve legjitime shtetërore, mosvotuar buxhetin e shtetit dhe duke mos-miratuar as marrëveshjet ndërkombëtare, quan në fitoren spektakolare të Kryeministrit Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje”, shtjelloi ai.

Krahas kësaj, analisti tha se përveç bllokadës, qytetarët e ndëshkuan opozitën edhe për gjuhën, akuzat dhe fjalorin e rëndë ndaj Kurtit dhe partisë në pushtet.

“Një panoramë domethënëse e cila dëshmon se lider me dinjitet si kryeministri Albin Kurti, fituan me të drejtë dhe dolën të parët plotësisht në mënyrë të merituar, ndërsa Abdixhiku & Co, jo vetëm se humbën keqas, por nisur nga arroganca e treguar gjatë 9 muajve të bllokadës, banaliteti në sjellje edhe gjatë fushatës, kapriçiot si dhe fjalori i rëndë e tepër fyes që ai vet, Doarsa Kica e deri te Kimete Bajrami, përdorën duke futur në funksion të fushatës elektorale edhe simpatinë ndaj grupimit agjenturoro-konspirativ si e ashtuquajtura “listë serbe”, nuk kishte si të merrte përfundim tjetër.

Prodhimi i elozheve nostalgjike të Hykmete Bajramit thurur të ashtuquajturës “listë serbe”, dhe shprehja e armiqësisë së hapur deri në urrejtje të sëmurë ndaj Albin Kurtit, ideali i saj, për ta kthyer gjendjen si ka qenë, para ardhjes së kryeministrit Kurti dhe rikthyer Kosovën atje ku e ka lënë Edita Tahiri, ishin pasojat shumë lehtë, të parashikueshme edhe për vet faktin e ditur nga të gjithë, se nënkryetari i “listës serbe”, me grupin terrorist serb që ai e kryesonte, ka vrarë edhe policin e Kosovës në detyrë, z. Afrim Bunjaku, prandaj humbjen ata e kërkuan vet dhe u ndëshkuan me meritë si duhet dhe në momentin e duhur, që njerëz të tillë, përfundimisht të mënjanohen nga vendimmarrja dhe bllokadës mbi 9 mujore, për krijimin e institucioneve ti jepet fund njëherë e mirë”.

Tutje, Qarri potencoi se me 28 dhjetor u dëshmua se kush nënçmon sovranin, përson në vota.

Ai komentoi edhe numrin rekord të votave që ka marrë Kurti e Konjufca, ku kanë lënë shumë mbrapa kundërshtarët politikë.

Po ashtu, analisti nuk u pajtua me deklaratat se Kurtit ia dha fitoren vetëm diaspora, derisa shpjegoi se pse vlerëson kështu.

Edhe kësaj radhe u dëshmua se kush nënçmon fuqinë e sovranit, merr përgjigjen shkatërrimtare që ai di ta jap, si në këto zgjedhje, e kësaj radhe nuk është vetëm z. Albin Kurti që mori më së shumti vota, por me 28 dhjetor rekordin e tyre, e ka thyer edhe kandidati  i propozuar nga z. Kurti për kryeministër dhe ish kryetari i Kuvendit z.Glauk Konijufca, i cili ende pa përfunduar numërimi i tërësishëm i votave ka marrë mbi 302 e 500 vota, duke lënë edhe udhëheqësit e partive kryesore opozitare, shumë prapa vetes.

 Image
 Gani Qarri 
 

Andaj sado që zhurmohet më tepër seç duhet për votat e diasporës, kjo formë e propagandës është veprim për arsyetimin e humbjes së opozitës së inkriminuar në zgjedhje dhe vazhdim i politikës së paprecedent kundër mërgimtarëve, për vet faktin se  Lëvizja Vetëvendosje, në zgjedhjet e 28 dhjetorit nga votimet jashtë vendit, të mbajtura në ambasada e përfaqësi diplomatike të Republikës së Kosovës, gjithsejtë mori vetëm 13,899 Vota, qofshin ato 86.74%, të votave në ambasada, të cilat krahasuar me numrin e votuesve në vend, janë vetëm një pikë uji në oqean dhe as që mund ta përcaktojnë fituesin e zgjedhjeve në vend, pra kryeministrin Kurti dhe LVV-në edhe kësaj radhe, nuk i nxori fitues diaspora, por votuesi rezident dhe populli (shumicë) i Kosovës, i lodhur nga aventurat e partive opozitare, kundër shtetit dhe interesave të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, nënvizoi ai.

Ndër të tjera, Qarri përgëzoi për mbarvajtjen e zgjedhjeve dhe procesin në tërësi, ku tha se shqiptarët e Kosovës japin shembull për demokraci.

Derisa, për fund, kishte edhe disa komente për sondazhet e publikuara gjatë fushatës zgjedhore.

Gjithsesi gëzon shumë fakti se edhe zgjedhjet e 28 dhjetorit kaluan në mënyrë shumë të qetë, tejet të kulturuar e tërësisht paqësore, duke i dhënë shembullin më sublim të plebishitit popullor serish gjithë rajonit dhe dënuar në mënyrë të merituar ata të cilët e kërkuan humbjen në të gjitha mënyrat, me mospërfillje ndaj qytetarëve, arrogancë, nënçmim e fyerje nga më të rëndat deri në sharje publike ndaj mërgimtarëve, duke mos ngurruar të angazhonin edhe gjykatat për pengimin e votimit të tyre.

Dhe për rrjedhojë humbjen që e kërkuan për qiell, e gjetën për tokë, serish jo nga “diaspora”, por nga vota demokratike vendore dhe vullneti i lirë i qytetarëve rezident të Kosovës, të cilët përbëjnë shumicën dërmuese të votuesve, ndaj tani le ta festojmë të gjithë së bashku- rezultatin; ne dhe ata, sepse na kanë pas lodhë tej mase, me turli far “exit -polle” tendencioze, parashikime të improvizuara utopike dhe b-analiza e fjalamani banale, sharje drejtuar jo vetëm kryeministrit Albin Kurti por edhe mërgimtarëve dhe qytetarëve që nuk deklaroheshin se ishin me ta, nëpër televizionet e oligarkëve, për çka përfundimisht morën ndëshkimin e merituar dhe volën atë që mbollën dhe kërkuan, për shumë kohë, duke mos u ngopur as me bllokada gati njëvjeçare kundër institucioneve, rrezikimin e funksionalitetit të shtetit dhe humbjen e miliarda eurove ndihma ndërkombëtare për Republikën e Kosovës”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.