Një reagim i fortë ka ardhur nga publicisti Lis Bukuroca, i cili ngre alarmin për përjashtimin e diasporës nga procesi i votimit në zgjedhjet e ardhshme.
Sipas tij, vonesat e pashmangshme në shpërndarjen e fletëvotimeve drejt mërgatës e bëjnë praktikisht të pamundur pjesëmarrjen e saj, pasi pavarësisht hapjes zyrtare të votimit më 12 dhjetor, fletëvotimet nisen për diasporën vetëm më 21 dhjetor—një afat që përkon me ditë vikendi, festa dhe presion të lartë postar në vendet perëndimore.
Bukuroca paralajmëron se në këto rrethana fletëvotimet do të mbërrijnë vetëm në janar, duke i mohuar mërgatës të drejtën kushtetuese për të votuar në kohë, përcjell “Bota sot”.
Postimi i plotë
Diaspora përjashtohet nga procesi i votimit,
pasi fletëvotimet mbërrijnë tek votuesit në janar 2026.
Edhe pse votimi jashtë hapet më 12 dhjetor, fletëvotimet për mërgatën nisen më 21 dhjetor.
Kjo e bën të pamundur që ato të shpërndahen me kohë në vendet perëndimore.
Kalendari e vërteton:
– 21 dhjetori bie të dielën;
– 22 dhe 23 dhjetori janë ditë pune (e hënë dhe e martë);
– 24, 25 dhe 26 dhjetori janë ditë festash të Krishtlindjeve, por në këtë muaj shpërndahen në Gjermani 12 milionë paketa në ditë. Vonesat janë gati të garantuara!
– 27 dhjetori është e shtunë;
– 28 dhjetori është e diel.
Kështu, realisht mbeten vetëm tri ditë pune për postën; tri e gjysmë, nëse më 24 dhjetor punohet deri në drekë. Në këto rrethana, vonesat janë të pashmangshme dhe fletëvotimet mbërrijnë vetëm në janar, duke e bërë të pamundur votimin në kohë.

