1
Autoritetet e Kosovës, gati qe dy vjet e kanë ndaluar zyrtarisht përdorimin e dinarit serb në vendin tonë, por në veri dhe në zonat tjera të vendit kjo valutë vazhdon të qarkullojë pa asnjë pengesë nga bizneset dhe qytetarët.
Ani se bankat komerciale nuk e pranojnë më, dyqanet dhe qytetarët e përdorin ende – disa hapur e të tjerët më të kujdesshëm.
Moneytizer Paragrafi 2
Ekipi i KosovaPress gjatë një hulumtimi në komunat veriore, ka hasur se përveç euros në pagesat e përditshme, edhe dinari mbetet opsion për tregtarët dhe qytetarët në atë pjesë.
Për këtë dukuri antikushtetuese, profesorë universitarë vlerësojnë se përdorimi i dinarit cenon integritetin politik dhe ekonomik të vendit, krijon para jashtë kontrollit të BQK-së, shkakton jostabilitet dhe nxit kriminalitet.
Moneytizer Paragrafi 4
Po ashtu, vlerësohet se përdorimi i dinarit serb në veri por edhe në zonat tjera të vendit, i shkakton dëme buxhetit të shtetit të Kosovës miliona euro, pasi shitjet që bëhen përmes kësaj valute nuk deklarohen në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK).
Derisa Kushtetuta e Kosovës përcakton euron si valutë zyrtare, ekspertët vlerësojnë si shumë të dëmshëm në aspektin ekonomik dhe antikushtetues e ilegal përdorimin e dinarit.
Banka Qendrore e Kosovës, kishte vendosur me një rregullore se, nga 1 shkurti 2024, valuta e vetme e lejuar për transaksione të pagesave me para të gatshme në Kosovë do të jetë vetëm euro.
Por, në veri të Kosovës, thjesht dinari nuk është monedhë e ndaluar – ai vazhdon të lëviz në duart e qytetarëve. Nga dyqanet e vogla te tregjet lokale, pagesat me dinar dhe euro bashkëjetojnë, duke treguar se nuk ka zbatim rregulloreve dhe ligjeve në fuqi.
Ndërsa, në Zubin Potok, derisa kalon nga dyqani në dyqan, këmbimi nga euro në dinar duket i natyrshëm; procedurat janë të thjeshta dhe qytetarët e përdorin këtë pa vështirësi. Kjo mund të shihet nga videot e realizuara nga KosovaPress, ku vetë ekipi i tyre bën një këmbim nga euro në dinar.
Përveç kësaj, në këtë komunë, në të gjitha dyqanet, çmimet e produkteve ushqimore, higjienike e të tjera janë të shkruara vetëm në dinar, jo në euro.
Biseda gazetar-qytetar:
“A mundem me ndërrua para prej euro në dinar?
– Sa i ki?
– 10€
– Mundesh”.
Në Zveçan, ekipi i KosovaPress ka vërejtur që tregtarët vazhdojnë të pranojnë pagesa me dinarë pa asnjë hezitim. Një shitëse pranoi pagesën në dinar pothuajse në mënyrë normale. Kjo dukuri duket se çdo ditë funksionon në mënyrë të kundërligjshme në atë pjesë.
Biseda gazetar-shitës:
“Sa para duhet?
Në euro?
A mundemi edhe në dinar?
Munden në euro.
E në dinar sa duhet?
200 dinar janë këto.
Ja, urdhëro”.
Ndërsa kalohet mes dyqaneve të vogla në Leposaviq, qytetarët tregojnë se mund të paguhet si me euro, ashtu edhe me dinar. Megjithatë, për transaksionet e vogla dhe blerjet e përditshme, dinari mbetet më i përdorur.
Biseda gazetar-qytetar:
“Mirëdita, a mundem me ju pyet diçka, qysh mundem me pagua – me euro apo dinar?
Qysh?
Si mundem me kryer pagesën?
Mundesh edhe me dinar, gjithkund mundesh me paguar me dinar.
Gjithkund?
Gjithkund mundesh, në secilin dyqan, shumë lehtë (pa problem) mundesh me pagua me dinar”.
Edhe një qytetar tjetër thekson për KosovaPress, se në lokalet e shitjes dhe dyqanet, pagesa me dinar është normale. Sipas tij, qytetarët paguajnë pa u penguar dhe dinari është pjesë e zakonshme e përditshmërisë.
Biseda gazetar-qytetar:
“Mirëdita, a mundem me ju pyet diçka?
Si?
A mundem me ju pyet diçka?
A mundem me pagua me dinar a me euro këtu (Leposaviq)?
Mundesh edhe në euro edhe në dinar.
Dmth me dyja mundem, e me cilën paguhet më shumë?
Nuk e di qysh po mendon, nëpër dyqane të vogla?
Po, po.
Në qendër edhe kudo me dyja.
Dmth me dyjat mundem me paguar, por më shumë me dinar?
Po, po”.
Në një nga dyqanet në Leposaviq, bashkëbisedimi mes qytetarit dhe shitëses tregon se pagesa me dinar vazhdon të kryhet lehtë dhe pa telashe.
Biseda gazetar-shitës:
“Si dëshiron ta kthej kusurin?
Qysh ty të vjen ma lehtë.
Faleminderit.
Faleminderit.
Biseda tjetër:
Mirëdita.
Mirëdita. 390 dinar ose don edhe në euro?
Cila është më lehtë?
Për mua është njëjtë, qysh ty të vjen ma lehtë.
390 dinar, edhe 90 dinar, edhe 20 dinar.
Po edhe 20 dinar, kështu krejt 390. Faleminderit, a po don qese?
Po, bon”.
Edhe në Mitrovicë të Veriut, dyqanet pranojnë si euro, ashtu edhe dinar. Një banor shpjegon se të dyja valutat pranohen lehtë, dhe nuk ka dallim se me cilën paguan klienti.
Biseda gazetar-qytetar:
“Më fal, a mundem me të pyet diçka? Këtu në veri, a bëhet më shumë pagesa me euro apo me dinar?”
“Qysh të dush, qysh të dush. Meqë ke dinar, mundesh me paguar me dinar”.
“A e marrin më shumë dinarin apo euro?”
“Çka i keni ju?”
“Dyjat i kom”.
“Qysh të dush, nuk ka problem. Edhe me euro edhe me dinar mundesh me paguar, nuk është problem hiç”.
Ndërsa, nga Banka Qendrore e Kosovës nuk kanë treguar për KosovaPress përse kjo dukuri antiligjore ende po lejohet, përveç se thonë se BQK po i zbaton plotësisht rregulloret për operacionet me para të gatshme në sektorin financiar, duke thënë se siguron furnizimin me para në ekonomi dhe jep autorizime për institucionet financiare.
“Në këtë kuadër, Rregullorja për Operacione me Para të Gatshme po zbatohet plotësisht sa i përket sektorit financiar, përfshirë furnizimin me para në ekonomi nga vetë BQK-ja dhe autorizimet që ajo jep për institucionet financiare”, thonë nga BQK në një përgjigje me shkrim për KosovaPress.
Më tej zyrtarë të BQK-së thonë po ashtu se kanë zgjeruar dukshëm qasjen në shërbimet financiare në komunat veriore.
“BQK përmes masave të saj ka rritur qasjen në financa në komunat në veri të vendit, duke bërë që nga 4 zyra bankare të kemi sot 12, nga 17 institucione financiare në total të jenë 49, ndërsa vet bankat kanë lehtësuar dhe krijuar kushte për tërheqje në bankomatet/ATM e tyre në euro pavarësisht nga valuta që një qytetar ka në llogarinë e tij jashtë vendit”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Po ashtu BQK thotë se bankat nuk kanë mbetur pas – tërheqjet nga ATM-të në euro janë bërë më të lehta, pavarësisht se çfarë valute ka një qytetar në llogarinë e tij jashtë vendit.
Madje, këmbimi valutor është bërë pjesë e përditshmërisë, sipas ofertave që ofrojnë institucionet.
“Gjithashtu, ofrohet edhe këmbimi valutor për valutat të cilat institucionet i ofrojnë dhe ka interesim nga qytetaret, kjo gjë është plotësisht e lejuar me Rregulloren në fjalë”, bën të ditur BQK-ja.
E nga Policia e Kosovës dhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve nuk kanë kthyer përgjigje për pyetjet që i janë dërguar nga KosovaPress, lidhur me rastet e sekuestrimit dhe zbatimin e vendimit për ndalimin e përdorimit të dinarit serb në komunat veriore të Kosovës.
Edhe rastet e fundit të sigurisë tregojnë se si paratë e gatshme, përfshirë dinarin, vazhdojnë të jenë pjesë e përditshmërisë në veri. Më 1 nëntor, dy persona u arrestuan në Mitrovicë të Veriut për një vjedhje në një lokal, ku u sekuestrua një shumë parash, shumica e të cilave siç shihen në fotografinë e publikuar nga Policia, ishin dinarë serbë.
Njëjtë ndodhi një muaj më parë edhe në Podujevë. Policia e Kosovës njoftoi për sekuestrimin e një shume të dinarëve në këtë komunë.
Profesori në Fakultetin Ekonomik, Nagip Skenderi thekson për KosovaPress, se përdorimi i dinarit cenon integritetin politik dhe ekonomik të vendit, krijon para jashtë kontrollit të BQK-së, shkakton jostabilitet dhe nxit kriminalitet.
Sipas tij, qarkullimi i dinarit në tregun e Kosovës bie ndesh me rregulloren e BQK-së dhe dëmton sistemin ekonomik, sepse paratë që hyjnë në vend mbesin jashtë mbikëqyrjes së institucioneve. Ai vlerëson se një praktikë e tillë jo vetëm dobëson stabilitetin politik dhe financiar të Kosovës, por edhe krijon terren për veprimtari kriminale dhe ndikime të jashtme, duke cenuar integritetin ekonomik e shtetëror.
“Mendojmë që aplikimi i valutave, pas asaj që është zyrtare, euro, sipas rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, në aplikimin e tregjeve monetare të Kosovës, respektivisht edhe në tregun e lirë, është një dëm i madh që i shkaktohet ekonomisë së vendit, sepse të gjitha këto para hyjnë jashtë kontrollit të Bankës Qendrore të Kosovës dhe mekanizmave të tjerë financiarë dhe janë pjesë të cilave ndjellin në vetvete jo vetëm jostabilitet politik, por edhe, respektivisht, cenim të integritetit politik dhe ekonomik të vendit tonë. Nga ana tjetër, ato janë edhe burim i kriminalitetit dhe punëve të pista të ekonomisë, të cilat grupet e caktuara të interesit në veri i përdorin këtë vetëm si pretekst për mbrojtjen e serbëve dhe pakicës së saj në veri të Mitrovicës”, thekson Skenderi.
Profesori thekson se në pjesën veriore ende qarkullon dinari, sidomos për pagesat që Serbia u jep qytetarëve përmes pagave paralele dhe pensioneve. Kjo përzierje e euros me dinarin, sipas tij, krijon përfitime të dyfishta për popullatën lokale dhe e vështirëson fushëveprimin e institucioneve të Kosovës. Ai shton se presioni ndërkombëtar për të lejuar përdorimin e dinarit e komplikon edhe më shumë situatën, prandaj kërkon që ndalimi i kësaj valute të zbatohet në mënyrë të rreptë nga mekanizmat ligjorë dhe kontrollues të shtetit.
Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila ndalon përdorimin e valutave të tjera përveç euros, hyri në fuqi më 1 shkurt 2024, ndërsa periudha tranzitore për zbatimin e saj përfundoi më 13 maj të atij viti.
Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, me nenin 11 përcaktohet se Republika e Kosovës ka një valutë të vetme.
“Në Republikën e Kosovës si mjet i vlefshëm pagese përdoret një valutë e vetme”, thuhet në nenin 11 të Kushtetutës së Kosovës. /kosovapress

