Politik

“Dinosaurë politikë”, shpërthen Tali: LDK drejt vetëshkatërrimit, AAK e ka mbyllur misionin

 
   

Analisti politik Driton Tali ka reaguar ashpër ndaj gjendjes aktuale të skenës politike në Kosovë, duke i cilësuar disa parti dhe liderë si “dinosaurë politikë” që, sipas tij, kanë përfunduar misionin e tyre.

Ai vlerëson se LDK duhet ose të hyjë në koalicion me LVV-në, ose t’i nënshtrohet reformave rrënjësore, përndryshe rrezikon vetëshkatërrimin politik.

Sipas Talit, AAK-ja me Ramush Haradinajn e ka shteruar rolin e saj, ndërsa për PDK-në thotë se ka nisur një proces reformimi, por që ende kërkon kohë dhe prova konkrete.

Tali paralajmëron se stagnimi politik po prodhon paralizë institucionale dhe lodhje qytetare, duke theksuar se zgjedhjet e shpeshta nuk mund të shërbejnë për zgjatjen artificiale të jetës politike të figurave që refuzojnë ndryshimin.

Postimi i plotë:

“Dinosaurë politikë” – koha juaj ka mbaruar!

LDK’ja ose le të hyjë në koalicion me LVV’në, ose le t’i nënshtrohet reformave rrënjësore. Kështu, duke u kapur pas një të kaluare që nuk kthehet më, vetëm po vetëshkatërrohet. Pa reforma rrënjësore, kjo parti nuk ka më çfarë t’i ofrojë elektoratit.

AAK’ja, me Ramush Haradinajn në krye, e ka shterur misionin e vet – kaq e pati!

Mbase zgjidhja më e mirë do të ishte krijimi i një subjekti të ri nga një pjesë e LDK’së dhe një pjesë e AAK’së – pra nga ato figura që ende gëzojnë imazh të mirë publik. Të dyja palët vetëdeklarohen të djathta; së bashku me disa personalitete nga shoqëria civile, kjo do të ishte një alternativë serioze, sado e vështirë apo e pamundur që duket në shikim të parë.

PDK’ja duket se ka nisur një lëvizje (ndonëse të vonuar) për t’u reformuar. Le t’i japim pak kohë, por jo kredi pa mbulesë.

Gjendja aktuale e skenës politike, “as në tokë e as në ajër”, është forma më e keqe e stagnimit. Ajo prodhon vetëm paralizë institucionale dhe lodhje qytetare. Vazhdimi i kësaj gjendjeje nuk i shërben askujt, përveç një grushti politikanësh që jetojnë nga krizat.

Edhe një palë zgjedhje të parakohshme (në prill) ndoshta mund të përtypen — por jo pafundësisht!

Nuk mund të shkojmë nga një palë zgjedhje në tjetrën vetëm për t’ua zgjatur jetën politike disa “dinosaurëve” që refuzojnë ta pranojnë fundin e tyre.

Politika nuk është muze: dinosaurët nuk reformohen, ata zëvendësohen!!!

 
 
 
 

 

Të Ngjashme