Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Diplomojnë rreth 300 kadetë të rinj të Policisë, zotohen se do të punojnë me përkushtim

 
   

Sot, në një ceremoni të veçantë, 279 të rinj e të reja kanë veshur për herë të parë uniformën blu duke u bërë zyrtarisht pjesë e Policisë së Republikës së Kosovës. Pas trajnimit intensiv, Gjenerata e 62-të ka përfunduar me sukses programin bazë dhe është shprehur e gatshme që të shërbejë në terren.

Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues të lartë institucionalë, përfshirë udhëheqës nga niveli qendror dhe lokal dhe përfaqësues të institucioneve të sigurisë, të cilët përgëzuan kadetët për përkushtimin dhe suksesin e tyre.

Zëvendëskryeministri i Kosovës në detyrë, Besnik Bislimi tha se për 26-vite me radhë Policia e Kosovës shërbeu me përkushtim dhe integritet.

Siç tha ai të jesh pjesë e Policisë së Kovës është nder dhe përgjegjësi e lartë.

Bislimi potencoi se përpjekjet dhe fushatat për të cenuar integritetin, profesionalizmin dhe imazhin e Policisë së Kosovës bazuar në raste të izoluara, sipas tij tregojnë për qëllime në dëm të interesave të Republikës së Kosovës.

Bislimi:Përpjekjet dhe fushatat për të cenuar integritetin, profesionalizmin dhe imazhin e Policisë së Kosovës tregojnë për qëllime në dëm të interesave të Republikës së Kosovës

“Për 26 vite me radhë që nga krijimi, Policia e Kosovës shërben me përkushtim e integritet. Ky institucion po forcohet e radhët e saj po shtohen çdo herë e më shumë…Të jesh pjesë e Policisë së Kosovë është nder dhe përgjegjësi e lartë. Kjo uniformë dhe ky institucion është më shumë sesa zbatuese e ligjit…280 kadetë mes të cilëve 261 shqiptarë, 11 serbë, 4 boshnjakë, dy egjiptianë dhe dy turk i përbashkon misioni e qëllimet e njëjta. Ju jeni këtu jo vetëm për diplomuar por për t’u betuar se do ta përfaqësoni këtë uniformë duke e lartësuar historinë e saj dhe atë të vendit tonë..04:00 Përpjekjet dhe fushatat për të cenuar integritetin, profesionalizmin dhe imazhin e Policisë së Kosovës bazuar në raste të izoluara tregojnë për qëllime në dëm të interesave të Republikës së Kosovës e kërcënim ndaj institucioneve të saj të respektuara si policia“, tha Bislimi.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se Gjenerata e 62-të është mbështetja e vizionit të përbashkët për një polici profesionale që garanton rend dhe ligj e që respekton dhe mbron qytetarët tanë.

Para kadetëve të rinj, ministri Sveçla u drejtua me mesazhin se detyra e tyre është të veprojnë me profesionalizëm dhe guxim, duke respektuar ligjin në çdo hap.

Ai theksoi se nga sot, kjo gjeneratë merr mbi vete përgjegjësinë për të përmbushur pritshmëritë e qytetarëve që kërkojnë rend, ligj dhe siguri.

Sveçla: Duke respektuar ligjet tona ju duhet të veproni me profesionalizëm, guxim e integritet të lartë

“Policia e Kosovës sot forcon radhët e saj me të rinj e të reja që i janë bashkuar me energji, me besim dhe me vullnet për t’u shërbyer qytetarëve e Republikës sonë me profesionalizëm, përkushtim e me dinjitet. Kjo gjeneratë që sot jep betimin si pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë mbështetja e vizionit tonë të përbashkët për një polici profesionale që garanton rend dhe ligj, që respekton e mbron qytetarët tanë dhe që me integrimet e disiplinë mbron besimin e qytetarëve të ndërtuar ndër vite për Policinë e Kosovës…Duke respektuar ligjet tona ju duhet të veproni me profesionalizëm, guxim e integritet të lartë. duke u angazhuar në çdo situatë e në çdo nevojë, çdo herë e pakursim ju e bëni Republikën tonë çdoherë e më të sigurt“, tha Sveçla.

Ndërkaq, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha para kadetëve të rinj tha se kjo ditë shënon përkushtimin e tyre të parë formal për tu bërë pjesë e Policisë së Kosovës.

Hoxha theksoi se uniforma policore nuk është privilegj, por përgjegjësi shumë e madhe.

Ai iu drejtua kadetëve duke u thënë se çdo veprim që do të marrin duhet të jetë na harmoni me ligjin, procedurat e brendshme dhe me urdhrat e ligjshëm të eprorëve të tyre.

Hoxha:Mos harroni se qytetarët në uniformën tuaj shohin shpresën, guximin, presin mbrojtje dhe siguri

“Kjo ditë shënon përkushtimin tuaj të parë formal për tu bërë pjesë e organizatës tonë policore. Organizatë kjo që ka për obligim të garantojë rendin dhe sigurinë në vendin tonë…Uniforma policore nuk është një privilegj, por mbi të gjitha është një përgjegjësi shumë e madhe. Njëkohësisht është një emocion, është një krenari duke pranuar detyrën e shenjtë të shërbimit dhe qytetarit të vendit. Ju duhet të mbani mend se ju do të merrni vendime të rëndësishme gjatë karrierës suaj policore. Por, iu udhëzojë që çdo veprim që do të merrni duhet të jetë në harmoni me ligjin, me procedurat e brendshme dhe me urdhrat e ligjshëm të eprorëve tuaj. Mos harroni se qytetarët në uniformën tuaj e shohin shpresën, guxmin, presin mbrojtje dhe siguri”, tha Hoxha.

Ndërkaq, zëdhënësi i Gjeneratës së 62-të të Policisë së Kosovës, Fatbardh Berisha ky moment është dëshmia dhe përkushtimi i përpjekjeve të tyre për të përmbushur me nder dhe dinjitet detyrat dhe përgjegjësitë që i presin.

Berisha në emër të Gjeneratës së 62-të tha se do të punojnë në ruajtjen e besimit që qytetarët kanë në Policinë e Kosovës.

Berisha: Sot zotohemi se do të zbatojmë parimet udhëzuese përmes të cilës udhëhiqet Policia e Kosovës

Ky moment është dëshmia dhe përkushtimi i përpjekjeve tona për të përmbushur me nder dhe dinjitet detyrat dhe përgjegjësitë që na presin…24:36 Sot zotohemi se do të zbatojmë parimet udhëzuese përmes të cilës udhëhiqet Policia e Kosovës. Do të punojmë me përkushtim për ruajtjen e besimit që qytetarët kanë në Policinë e Kosovës”, potencoi Berisha.

Konkursi i fundit për pranimin e 350 zyrtarëve në Policinë e Kosovës, u mbyll para pak ditësh. Aty aplikuan mbi 7 mijë të interesuar.