Sot, ka qenë dita e fundit që Gjykata Speciale ka pranuar prova nga Prokuroria apo palët mbrojtëse në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
Kjo tregon se gjyqi i madh për katërshen e UÇK-së është para fazës përfundimtare, raporton KosovaPress.
Në një intervistë për KosovaPress, profesori i të Drejtës Kushtetuese, Arsim Bajrami thotë ky proces ka qenë i komplikuar dhe i shoqëruar me “shumë shkelje të standardeve evropiane për të drejtat e njeriut”.
“Gjykata Speciale: mes të vërtetës dhe mashtrimeve”, është libri i botuar vitin e kaluar nga profesor Bajrami, i cili ofron një analizë kritike mbi funksionimin, legjitimitetin dhe ndikimin e Gjykatës Speciale në shoqërinë kosovare.
Nga sot nuk pranohen prova të reja në rastin Thaçi dhe të tjerët
“Praktikisht sot përfundon koha kur edhe prokuroria por edhe palët mbrojtëse do të mund të dorëzojnë prova të shkruara apo prova video-incizime apo prova të tjera dhe pas ditës së sotit nuk ka prova të reja. Çka kjo tregon se procesi po konkludohet, po finalizohet dhe mbetet vetëm fjala përfundimtare. Tani është në trupin gjykues, në panelin gjykues që të vlerësojë secilën provë, të peshojë kredibilitetin e secilës provë, ta shohë relevancën, ta shohë lidhjen kauzale të provave, dhe duke besuar se këta janë gjyqtarët janë nën betim, që do të, janë betuar që do të respektojnë ligjin, jam thellësisht i bindur që në fund nuk ka epilog tjetër përpos një aktgjykimi lirues, sepse në fakt nuk është vërtetuar asnjë element i aktakuzës, një aktakuze e cila bazohet në një fiksion të një ndërmarrje të përbashkët kriminale”, deklaron Bajrami për KosovaPress.
Ndër tjera, akademik Bajrami thotë se trupi gjykues duhet të marrë parasysh provat bindëse të dëshmitarëve të mbrojtjes, të cilët gjatë dëshmisë së tyre kanë mohuar se UÇK-ja ka pasur strukturë organizative.
Gjykata Speciale nuk ka respektuar standardet ndërkombëtare për një gjykim të drejtë
“Fatkeqësisht nga fillimi gjykata është shoqëruar me shkelje të njëpasnjëshme, me shkelje materiale, procedurale. Nuk ka respektuar standardet ndërkombëtare për një gjykim të drejtë. Nuk ka respektuar fare institucionet e Kosovës, asnjë prej institucioneve të Kosovës nuk ka qenë partner i kësaj gjykate, derisa kjo gjykatë publikisht ka deklaruar se ka bashkëpunuar vazhdimisht me Serbinë, në radhë të parë me Prokurorinë e Serbisë, por edhe me Shërbimin Sekret Serb i cili gjithmonë ka dhënë prova të fabrikuara. Dua të besoj që të gjitha këto prova duhet të vlerësohen si prova të një shteti armiqësor, të një shteti armik dhe gjykata do t’i hudhë komplet domethënë, komplet do t’i hudh. Nuk do të marrë për bazë as provat e dëshmitarëve të Serbisë, as dëshmitarëve të cilët janë përgatitur apo i kanë paguar, por do të bazohet në prova autoktone edhe do t’i marrë parasysh ato prova të cilat vijnë nga personalitete shumë kredibile botërore”, shprehet ai.
Doktori i shkencave juridike Bajrami thekson se pas dorëzimit të këtyre dosjeve, procesi hyn në fazën e fjalëve përfundimtare, të cilat pritet të mbahen nga 9 deri më 18 shkurt. Me përfundimin e kësaj faze, procesi gjyqësor konsiderohet zyrtarisht i mbyllur.
Fjala përfundimtare do të jetë shumë e rëndësishme
“Fjala përfundimtare është faza finale e një procesi të procedurës penale. Janë shumë të rëndësishme, sepse ne do të dëgjojmë rrëfimin përfundimtar të prokurorisë, e cila sigurisht që do të mbetet pranë aktakuzës dhe do të kërkojë dënime, dhe pastaj të gjithë të akuzuarit, përfshirë edhe avokatët e tyre, do të deklarojnë pafajësinë e vet dhe kjo do të jetë një momentum i konkludimit të këtij gjykimi, i cili ka shumë peshë sepse gjatë kësaj fjale, në fakt, mbrojtja me siguri do të ofrojë përsëri prova që prokuroria nuk arriti këto pesë vite absolutisht të dëshmojë apo të konfirmojë asnjë prej pikave të aktakuzës. Dhe secila pikë e aktakuzës mund të rrëzohet lehtësisht në qoftë se gjykata do të jetë plotësisht e përkushtuar në parimet e drejtësisë dhe jo në motive të tjera”, shprehet ai.
Pas përfundimit të fjalëve përfundimtare, gjykatësit do të kenë një afat prej tre muajsh për shpalljen e aktgjykimit të shkallës së parë, me mundësi shtyrjeje edhe për dy muaj të tjerë.
Akademik Arsim Bajrami thotë se “cilido verdikt tjetër që nuk është aktgjykim lirues, do të ishte një skandal ndërkombëtar”.
Skandal ndërkombëtar nëse… Bajrami tregon se çka pret nga aktgjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve
“Duke qenë se kam qenë shumë kritik ndaj kësaj gjykate, e kam përcjellë profesionalisht, madje kam bërë edhe botime, kam bërë studime, kam vizituar disa herë edhe Gjykatën Speciale, mund të themi se është një prej gjykimeve më të vështira dhe më të padrejta pas Luftës së Dytë Botërore. Madje këto gjykime kanë qenë shumë larg standardeve të Tribunalit për ish-Jugosllavi, i cili ka gjykuar krimet në Kroaci, në Bosnjë, por edhe në Kosovë. Dhe cilido verdikt tjetër që nuk është aktgjykim lirues, do të ishte një precedent apo një skandal ndërkombëtar, sepse në këto pesë vite ne nuk kemi parë asnjë provë e cila vërteton apo konfirmon akuzat se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë një ndërmarrje e përbashkët kriminale. Përkundrazi, ajo ka zhvilluar një luftë mbrojtëse, ajo ka luftuar në territorin e Kosovës, jo jashtë territorit, dhe ka qenë një luftë çlirimtare, politikisht e orientuar drejt mbrojtjes së popullsisë nga një gjenocid i organizuar, por edhe me qëllim të çlirimit të Kosovës dhe pavarësimit të saj”, përfundon Bajrami.
Në Gjykatën Speciale deri më tani janë gjashtë persona të akuzuar për krime të pretenduara lufte, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Pjetër Shala dhe Salih Mustafa. Shala është i dënuar me 13 vjet burgim, ndërkaq Mustafa me 15 vjet.
Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës por veprojnë me personel ndërkombëtar në Hagë të Holandës.
Bashkimi Evropian është financuesi kryesor i Gjykatës Speciale e cila u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, pas kërkesës së bashkësisë ndërkombëtare.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i kanë cilësuar si të pabazuara. Edhe mbrojtja i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.
Ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020. Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

