Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka reaguar me rastin e Ditës së Veteranëve të UÇK-së, duke bërë thirrje për reflektim shtetëror, respekt institucional dhe përulje ndaj sakrificës së atyre që e sollën lirinë.
Në reagimin e publikuar në Facebook, OVL-UÇK ka kritikuar qeverinë për mosdhënien e pensioneve meritorë veteranëve dhe për trajtim të nënçmuar të tyre.
“Për pesë vite me radhë, ky pushtet e la luftëtarin e UÇK-së pa pension meritor, duke e nënçmuar dinjitetin e atij që rrezikoi jetën për liri. Kjo u bë me vetëdije dhe me hile politike, në bashkëpunim me Listën Serbe”, thuhet në reagim.
Organizata ka përmendur gjithashtu tolerimin e deklaratave fyese dhe përçmuese ndaj veteranëve, si dhe trajtimin e tyre si barrë, pa mbrojtje shtetërore.
Sipas OVL-UÇK, u tha publikisht se “më mirë të paguheshin mercenarët, sesa ata që e çliruan vendin”, duke e quajtur këtë politikë të qëllimshme dhe të organizuar kundër UÇK-së.
OVL-UÇK ka theksuar se edhe në këtë Ditë të Veteranëve, institucionet nuk kanë zhvilluar asnjë aktivitet simbolik, asnjë vizitë te varret e dëshmorëve, duke e cilësuar këtë heshtje si një qëndrim politik që tregon përpjekjen e shtetit për të “shkëputur lidhjen me luftën që e solli në jetë”.
“Kosova nuk ka lindur nga neutraliteti, as nga administrata, as nga konferencat, por nga gjaku i dëshmorëve dhe sakrifica e veteranëve të UÇK-së”.

