Aktuale

“Ditë e madhe”/ Opozita në Bulevard, PD mban sot protestë kombëtare

Opozita mban sot protestën e radhës kombëtare në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’. Ashtu siç është njoftuar, tubimi do të nisë në orën 17:00, para zyrës së kryeministrit Edi Rama, për të cilin opozita kërkon dorëheqjen e tij dhe të Belinda Ballukut, pas skandaleve të fundit. Dje në një dalje për mediat, kreu i opozitës deklaroi se protesta e sotme që sipas tij do të jetë një tubim paqësor, do t’i tregojë Europës dhe botës se ‘nuk mposhtemi nga një grup hajdutësh’.

“Integrimi është synim kryesor po i bazuar në mëritë dhe jo në suksese imagjinare. Shqipëria sot është vend i dhunimit masiv të të drejtave të njeriut. Kush i mbushi burgjet? Burgjet i mbushi politika…Në këtë udhëtim ai do të shkelmojë në Bruksel interesat e çdo shqiptari dhe do mbrojë interesat e veta dhe Lubi Ballukut. Nesër është dita e qytetarëve, i ftoj nga mbarë Shqipëria, nga Tiranë në kryengritjen paqësore t’i faktojmë Europës dhe botës se ne nuk mposhtemi kurrë nga një grusht hajdutësh”, tha dje Berisha.

Po ashtu ai i bëri thirrje mbrëmë në foltoren e radhës, edhe forcave të rendit, që t’i bashkohen protestës. Kreu i Partisë Demokratike theksoi se do të bëjnë të mundur që qeverinë e krimit ta “hedhin” në lumin Lana.

“Pa hedhur në Lanë qeverinë e krimit, anti evropiane, anti shqiptare. Nesër është ditë e madhe, e shqiptarëve për Evropën dhe të ardhmen e tyre, për prosperitetin e tyre, begatinë dhe lirinë e tyre. Nëse ne shpallim solemnisht para shqiptarëve se për opozitën, integrimi në BE është e ardhmja më e shkëlqyer sepse ne besojmë se integrimi do të thotë qytetarë më të lirë, më të sigurtë dhe Shqipëri më e zhvilluar.

Ftoj shqiptarët të bashkohen, të ngremë zërin tonë të dëgjohet në Bruksel e mbarë Evropën. Asgjë nuk na shkëput dot nga qëllimi ynë. Iu bëj thirrje forcave të rendit, të marrin vendimin historik e të bashkohen me protestuesit, bashkohuni me interesin e vendit, familjeve tuaja. Të shporrim këtë bandë kusarësh që s’ka patur kurrë Shqipëria në krye si sot. Do të rikthejmë ligjin, Kushtetutën, të drejtën, lirinë, votën e lirë, rimëkëmbjen dhe udhëtimin drejt Evropës. Bashkohuni në kryengritjen e Evropës. “, u shpreh Berisha.

Të Ngjashme