Statusi i pronësisë së kampingut në Finikounda të Greqisë po shndërrohet në një ngjarje të tmerrshme, pas kërkesës për emërimin e një administrimi të përkohshëm të paraqitur në Gjykatën e Shkallës së Parë të Kalamatës, nga motra e pronarit të vrarë, djali i të cilës ndodhet në paraburgim në Korydhalos, si një nga autorët e organizimit të krimit të dyfishtë, ku viktimë mbeti edhe punëtori shqiptar i biznesmenit.
Ajo kishte marrë pjesë në bordin e mëparshëm të drejtorëve, së bashku me djalin e saj 33-vjeçar dhe viktimën, kurse tani kërkon rihapjen e kampingut dhe po propozon gjashtë persona për bordin e ri të drejtorëve, përfshirë mbesën e të ndjerit, (dëshmitarja kryesore e krimit), me të cilën nuk kishin marrëdhëniet më të mira deri dje.
Në bordin e ri të përkohshëm të drejtorëve, ajo propozon veten, mbesën, kushëririn e saj, dy biznesmenë vendas dhe vëllanë e viktimës, i cili sipas informacioneve dyshohet se nuk pranoi të merrte pjesë.
Në kërkesë thuhet se “kompania duhet të ndërmarrë menjëherë hapa për t’u përgatitur për sezonin e verës, siç janë punësimi i stafit, mirëmbajtja e ambienteve, blerja e kontratave dhe lejeve të operimit”, informon “Protothema”.
Ata pretendojnë se kohët e fundit ka pasur dhjetëra telefonata nga klientë, kryesisht nga Gjermania, Austria dhe Franca, të cilët ose kërkojnë të bëjnë rezervime ose pyesin nëse kampingu do të hapet, ndërsa shumë prej tyre kanë lënë karvanët e tyre në kamping për sezonin e dimrit.
“Paraburgim i përkohshëm”
Është e habitshme që kërkesa nuk përmend vrasjen e pronarit, por vetëm “vdekjen e presidentit”, ndërsa paraburgimi i nipit me akuzën e nxitësit karakterizohet si “paraburgim i përkohshëm i anëtarit të dytë të Bordit të Drejtorëve të mëparshëm”.
Ndërkohë, hetuesi i parë i Gjykatës së Shkallës së Parë të Kalamatës, i cili po merret me çështjen, ka ngritur një padi penale kundër shoqëruesit 22-vjeçar të nipit të paraburgosur (greko-gjerman), ndërsa edhe shoku i nipit po ndiqet penalisht për të njëjtën akuzë.
Ai dhe 22-vjeçari ndodheshin në makinën që “shoqëronte” automjetin e nipit kur ai po shkonte në Kalamata, me pretekstin se donte të vizitonte nënën e tij, ndërsa ajo dyshohet se transportoi në stacionin e autobusëve të qytetit një 22-vjeçar i cili akuzohet si autori fizik i vrasjes së pronarit 68-vjeçar.
Gjithashtu i dyshuar si organizator është edhe një biznesmen vendas, pronar argjendarie, gjithashtu i arrestuar.
Autorët pasi shkuan në kamp, goditën pas ndjekjes këmba-këmbazi biznesmenin grek, pronar të kampingut dhe punëtorin e tij shqiptar, të cilit i kishte lënë pjesën më të madhe të pasurisë.
Nipi i viktimës që ishte aty, nuk pësoi asnjë lëndim dhe më vonë u zbulua se ishte një nga organizatorët.
Mbesa e viktimës zbërtheu të gjithë skemën, konfliktet, lojën me testamentin dhe trashëgiminë dhe faktin se lënia e pasurisë tek shqiptari kishte krijuar shumë pakënaqësi.





