Ministria e Jashtme e Iranit ka bërë reagimin e parë zyrtar pas sulmeve nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara, duke theksuar se forcat e armatosura iraniane janë “plotësisht të gatshme të mbrojnë vendin dhe do t’i bëjnë sulmuesit të pendohen për veprimet e tyre”.
Në një deklaratë zyrtare, theksohet se sulmet izraelite kanë shënjestruar integritetin territorial dhe sovranitetin kombëtar të vendit, përfshirë infrastrukturën mbrojtëse si dhe objekte jo-ushtarake në disa qytete në mbarë territorin.
“Agresioni ushtarak i Shteteve të Bashkuara dhe i regjimit sionist kundër Iranit përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe të parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara”, thuhet në deklaratë.
Sipas Ministrisë, Republika Islamike e Iranit e konsideron këtë agresion si një shkelje të qartë të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, duke theksuar se ruan të drejtën legjitime për t’u përgjigjur në mënyrë vendimtare.
“Në përpjekje për të parandaluar përshkallëzimin dhe për të ruajtur stabilitetin rajonal, kombi iranian ka treguar durim dhe vetëpërmbajtje”, thuhet më tej, duke shtuar se forcat e armatosura janë “plotësisht të gatshme të mbrojnë vendin dhe do t’i bëjnë sulmuesit të pendohen për veprimet e tyre”.
Sulmet e SHBA-së dhe Izraelit cilësohen si “një shembull i qartë i agresionit të armatosur”, ndërsa përmendet edhe Neni 51 i Kartës së Kombeve të Bashkuara, që lidhet me të drejtën e vetëmbrojtjes.
“Historia tregon se iranianët nuk janë dorëzuar kurrë përballë agresionit. Edhe kësaj here, përgjigjja e Iranit do të jetë vendimtare dhe sulmuesit do të pendohen për veprimet e tyre armiqësore”, përfundon deklarata.
