Doktori i specializuar në Kirugjinë e Përgjithshme dhe Kirurgjinë Abdominale, Ferat Sallahu, në emisionin “LIBERO” rrëfeu një rast që e përjetoi në fillimet e karrierës së tij, kur ishte ende specialist i ri. Në klinikë i erdhi një pacient me diagnozë të rëndë – kancer i mëlçisë në stade shumë të avancuara.
Sipas tij, gjendja e pacientit ishte aq e rëndë saqë në mjekësi konsiderohej terminale, çka do të thotë se shanset për mbijetesë ishin shumë të vogla. Pacienti u trajtua për rreth dy javë në spital, por gjendja e tij mbeti kritike dhe më pas u lirua për në shtëpi me udhëzimin që të paraqitej në kontroll pas një muaji.
“…E lëshuam në shtëpi në gjendje të rëndë. Mendja ime nuk ishte e qetë, nuk kisha shpresa se do të mbijetonte…”, rrëfeu mjeku.
Megjithatë, ajo që ndodhi më pas e befasoi plotësisht. Pas një muaji, teksa mjeku po punonte në kompjuter, kolegët e njoftuan se pacienti kishte ardhur për kontroll.
“…Nuk e besoja. Kur dola ta shoh, ai kishte ardhur në këmbët e veta, i shoqëruar nga një person tjetër…”, tregoi ai.
I habitur, mjeku e pyeti pacientin se çfarë kishte përdorur gjatë kësaj kohe. Përgjigjja ishte e thjeshtë: ai kishte vazhduar terapinë e përshkruar nga mjeku.
Pacienti u këshillua të vazhdonte trajtimin dhe të paraqitej sërish për kontroll pas dy muajsh. Edhe pse mjeku ende kishte dyshime nëse ai do të mund të kthehej përsëri, realiteti e surprizoi sërish.
Pas dy muajsh, pacienti u shfaq përsëri – këtë herë edhe më mirë. Sipas rrëfimit të mjekut, ai kishte ardhur i veshur me kravatë dhe dukej i kthjellët.
Pacienti, sipas mjekut, është ende gjallë edhe sot, duke u bërë një nga ato raste që dëshmojnë se ndonjëherë shpresa dhe trajtimi mund të sjellin rezultate që tejkalojnë çdo parashikim.
Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Ferat Sallahut, klikoni në linkun e mëposhtëm:
