Lajme

​Don Agim Qerkini: Luftërat janë vepër e antikrishtit, jo e Zotit

Mesha e shenjtë për Pashkët në Katedralen “Shën Tereza”, në Prishtinë ka përcjellur sot mesazhe paqeje, faljeje dhe dashurie.

Në meshën e shenjtë të Pashkëve, të mbajtur në Katedralen “Shën Tereza” në Prishtinë, u përcollën mesazhe të forta për paqe, dashuri dhe reflektim shpirtëror.

Mesha nisi me këngët dhe poezitë për Pashkët, derisa u theksua

Famullitari i Katedrales së Prishtinës, Don Agim Qerkini tha se luftërat janë vepër e antikrishtit.

Qerkini: Ne jemi popull që e duam jetën

“Ne jemi popull që e duam jetën. Megjithëse Krishtin e dënuan me vdekjen e tmerrshme, më të turpshme, e kryqëzuan, ai me ngjalljen e vet na ka dhënë gjithmonë forcën të rrugëtojmë së bashku me të nëpër kalvare të ndryshme dhe sot, gjithashtu e gjithmonë, të ndjejmë gëzimin e dashurisë që na e dhuron”, tha Qerkini.

U theksua se Pashkët nuk duhet të shihen vetëm si një festë formale, por si një moment i thellë reflektimi dhe ndryshimi shpirtëror.

Qerkini: Për hir të festave janë bërë pajtime të mëdha

“Pashkët janë festa e madhe, sidomos në popullin tonë, ku kemi festa të ndryshme të rëndësishme, përmbajtësore, që kanë pasur dhe kanë përmbajtje të mëdha. Për hir të festave janë bërë pajtime të mëdha. Nuk guxojmë që Pashkët të mbeten vetëm një festë e jashtme, por t’i vlerësojmë ato në kontekstin që kanë, për të vazhduar jetën në përkim me mësimin e Zotit”, tha Qerkini.

Në këtë ditë të shenjtë, u fol edhe për sfidat me të cilat përballet bota sot, veçanërisht për konfliktet dhe luftërat.

Qerkini: Luftërat nuk janë vepër e Zotit

“Edhe në këtë ditë të madhe, kur bota përballet me vështirësi, me sfida, kur bota e shumë vende përballen me konflikte e luftëra, e shohim qartë, duhet ta kuptojmë se ato nuk janë vepër e Zotit. Ato janë vepër e antikrishtit, i cili kurrë nuk është pajtuar me të, e detyroi që të pësojë mundimet dhe vdekjen në kryq, për t’ia marrë njeriun prej dorës. Dhe Zoti këtë e bëri. E krijoi prej dashurisë, prej dashurisë pësoi flijimin dhe u ringjall”, theksoi Qerkini.

Mesha u shoqërua me lutje dhe himne tradicionale, ku besimtarët kremtuan ringjalljen e Krishtit me këngë dhe falënderime.

Në mesazhin përfundimtar, u bë thirrje për më shumë dashuri, falje dhe shërbim ndaj njëri-tjetrit, duke ndjekur shembullin e Krishtit dhe të Shën Nënë Terezës.

Në fund, besimtarëve iu uruan Pashkët me dëshirën për shëndet, paqe dhe bekim në familjet e tyre.

Të Ngjashme