Lajme

Donika Gërvalla publikon video – sqaron pesë projektligjet e reformës në drejtësi dhe ka këtë porosi

Ministrja Donika Gërvalla përmes një postimi në Facebook ka theksuar rëndësinë e ndërtimit dhe forcimit të një shteti ligjor, të barabartë dhe të drejtë për të gjithë.

Ajo ka njoftuar se janë finalizuar pesë projektligje kyçe për reformën në drejtësi, të cilat tani janë të hapura për konsultim public, përcjell “Bota sot”.

Projektligjet synojnë përmirësimin e rekrutimit, vlerësimit dhe kontrollit të punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, rritjen e përgjegjësisë dhe integritetit, si dhe forcimin e institucioneve që mbështesin trajnimin dhe menaxhimin e sistemit të drejtësisë, përfshirë Akademinë e Drejtësisë, Këshillin Prokurorial dhe Këshillin Gjyqësor.

Ministrja i fton profesionistët e drejtësisë, studiuesit, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe të mediave, si dhe çdo qytetar të interesuar, të dërgojnë komente dhe sugjerime brenda 15 ditëve pune, duke siguruar se çdo kontribut do të marrë vëmendje të veçantë nga grupi punues. Ajo falënderon të gjithë për përpjekjet në përmirësimin dhe forcimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Postimi i plotë

Shteti ligjor, i barabartë dhe i drejtë për të gjithë, ndërtohet, forcohet dhe mbrohet nga të gjithë ne së bashku.

U finalizuan dhe tashmë janë të hapura për konsultim publik pesë projektligje të rëndësishme, të cilat janë shtyllë e reformës në drejtësi.

Projektligjet përkatëse mund t’i gjeni në linqet e bashkëngjitura:–  https://konsultimet.rks-gov.net/viewConsult.php… (Projektligji për Rekrutimin, Vlerësimin e Performancës, Kontrollin e Integritetit dhe Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve);

https://konsultimet.rks-gov.net/viewConsult.php… ((Projektligji për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve);

https://konsultimet.rks-gov.net/viewConsult.php…(Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit Nr. 05/L-095 për Akademinë e Drejtësisë);

https://konsultimet.rks-gov.net/viewConsult.php… (Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës);

–  https://konsultimet.rks-gov.net/viewConsult.php… (Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit Nr. 06/L-055 për Këshillin Gjyqësor të Kosovës).

Secili prej këtyre pesë ligjeve ka një synim të veçantë. Disa përmirësojnë mënyrën se si vlerësohet dhe kontrollohet puna e të gjithë punonjësve të sistemit të drejtësisë; të tjerat rrisin përgjegjësinë dhe integritetin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, përmirësojnë proceset e rekrutimit dhe vlerësimit, si dhe rregullojnë mënyrën se si trajtohen çështjet disiplinore dhe standardet profesionale. Ndërsa disa të tjera forcojnë institucionet që mbështesin trajnimin dhe menaxhimin e sistemit të drejtësisë, si dhe funksionimin e Akademisë së Drejtësisë, por edhe të Këshillit Prokurorial dhe Këshillit Gjyqësor.

Bashkë, këto pesë ligje rrisin llogaridhënien dhe krijojnë një kuadër më të qartë dhe më të drejtë për të gjithë profesionistët e sistemit të drejtësisë.

Ju njoftoj të gjithëve dhe ju ftoj përzemërsisht, ju, profesionistë të fushës së drejtësisë, studiues e profesorë, gjyqtarë e prokurorë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të mediave, si dhe të gjithë ju që jeni të interesuar të na dërgoni komentet tuaja me shkrim.

Secili koment, secili kontribut, i bën këto ligje më të qarta, më të drejta dhe më të dobishme.

Afati për dorëzimin e komenteve është 15 ditë pune. Ju siguroj se çdo propozim apo koment i juaji, i dërguar brenda kësaj kohe, do të marrë vëmendjen e veçantë të grupit punues, i cili do të bëjë konsolidimin e projektligjeve dhe të komenteve të dërguara.

Qysh sot, shfrytëzoj rastin të falënderoj secilin prej jush për kontributin tuaj në përmirësimin dhe forcimin e sistemit të drejtësisë në Republikën e Kosovës.

Të Ngjashme