Lajme

Donika Gërvalla reagon pas publikimit të audio-incizimit, kërkon zbatim të reformave në drejtësi

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka reaguar pas publikimit në media të një audio-incizimi nga takimi i Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit me kryeprokurorët, i mbajtur më 20 janar 2026, duke e cilësuar rastin si shqetësues dhe pasqyrë të gjendjes në sistemin prokurorial.

Ajo theksoi se reforma në sistemin prokurorial mbetet ndër prioritetet kryesore të Republikës së Kosovës, duke rikujtuar se më 5 qershor 2025 kanë hyrë në fuqi ndryshimet e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, si hap drejt jetësimit të reformës.

Gërvalla dënoi gjuhën denigruese dhe rezistencën ndaj reformave nga krerë dhe ish-krerë të sistemit prokurorial, duke i cilësuar si rrezik serioz për integritetin dhe funksionimin profesional të sistemit.

Reagimi i Gërvallës:

Publikimi i sotëm në media i një audio-incizimi nga takimi i U.D. Kryeprokurorit të Shtetit me kryeprokurorët e prokurorive më 20 janar 2026 është shqetësues dhe pasqyrë e gjendjes në të cilën ende ndodhet sistemi prokurorial.

Reforma në sistemin prokurorial dhe në atë të drejtësisë në përgjithësi, ka qenë dhe mbetet ndër top prioritetet e Republikës së Kosovës.

Më 5 qershor 2025, ndryshimet e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës kishin hyrë në fuqi, duke shënuar kështu fillimin e jetësimit të reformës në sistemin prokurorial.

Reformimi i sistemit prokurorial, kishte filluar pikërisht për të eliminuar korporatizmin dhe grupacionet e ndryshme në sistem, por gjithashtu, për të forcuar drejtësinë dhe për të rritur profesionalizmin, llogaridhënien dhe transparencën e sistemit prokurorial.

Gjuha dhe diskutimet denigruese të krerëve dhe ish-krerëve të sistemit prokurorial, kundërshtimi dhe rezistenca e tyre e vazhdueshme ndaj reformave dhe mungesa e vullnetit për zbatimin e tyre, paraqesin rrezik serioz dhe cenojnë rëndë integritetin dhe funksionimin profesional të sistemit prokurorial.

Dënojmë ashpër gjuhën e tillë denigruese e cila është në kundërshtim me etikën dhe standardet profesionale të prokurorit, por gjithashtu, kërkojmë zbatimin e reformave dhe ndryshimeve ligjore tashmë në fuqi, për t’i dhënë sistemit prokurorial profesionalizmin, llogaridhënien dhe efikasitetin e munguar.

Nuk ndalemi së përsërituri se reformat në drejtësi janë dëshmi e vendosmërisë tonë për të ndërtuar një shtet ku ligji nuk negocion, ku përgjegjësia nuk shmanget dhe ku drejtësia nuk njeh emër, pozitë apo ndikim.

Të Ngjashme