Lajme

Donika Gërvalla viziton qendrën për gratë në Drenas

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla ka vizituar Qendrën për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas, duke çmuar punën që është bërë për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

“Gjatë këtij takimi, të mbijetuarat ndanë historitë dhe përvojat e tyre, duke na kujtuar fuqimisht se çdo përpjekje dhe çdo vendim ka rëndësi jetike për të rikthyer besimin dhe shpresën. Zëri i tyre është një kujtesë e fuqishme se drejtësia nuk është thjesht një parim abstrakt, por një detyrim i përhershëm institucional dhe shoqëror. Çdo histori e ndarë në atë takim riafirmon përgjegjësinë tonë për të mos lejuar që vuajtja e tyre të harrohet, të relativizohet apo të mbetet pa përgjigje”, ka shkruar Gërvalla në facebook.

Ajo tha se kjo qendër arriti të shndërrohet në një hapësirë të sigurt dhe mbështetëse për qindra gra, duke ofruar jo vetëm këshillim dhe përkrahje, por edhe mundësi reale për të rifituar dinjitetin, autonominë dhe besimin në të ardhmen.

“Angazhimi ynë mbetet i plotë dhe i palëkundur. Në rolin tonë institucional, do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë çdo të mbijetuare, të forcojmë mbështetjen dhe të punojmë që çdo hap drejt drejtësisë të jetë i shoqëruar me dinjitet, respekt dhe veprim konkret. Sepse historia e tyre nuk është vetëm kujtesë e së kaluarës. Ajo është përgjegjësi e jona e përhershme për të siguruar që drejtësia të mos mbetet premtim, por të bëhet realitet”, ka shkruar ajo.

Të Ngjashme