Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Dosja e tre të arrestuarve për krime lufte në zonën e Vushtrrisë

Ish-pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Zoran Kostiq, Dragan Milloviq i njohur me nofkën Musa dhe Illija Elezoviq, janë tre serbët e arrestuar dje nga Policia e Kosovës nën dyshimet për krime lufte.

KALLXO ka siguruar dosjen ekskluzive të gjykatës përmes të cilës Prokuroria Speciale ka kërkuar paraburgimin e të lartcekurve.

Në dosje thuhet se në mars të vitit 1999, një grup i policëve paramilitar serbë janë vendosur në fshatin Reznik, më saktësisht në shtëpinë një personi.

Sipas dosjes, i dyshuari Zoran Kostiq ka qenë komandant i këtij grupi paramilitar dhe i njëjti ka udhëhequr çdo veprim të tyre.

Një ndër këto veprime, sipas dosjes ishte edhe masakra në familjen Ujkani të cilën sipas dosjes e kishte udhëhequr i dyshuari Kostiq.

Dosja thotë se pas ekzekutimit të viktimave të kësaj masakre ishin djegur shtëpitë dhe trupat e viktimave nëpër shtëpitë e tyre në fshatin Reznik.

Sipas dosjes së gjykatës, i dyshuari Elezoviq në shkurt të vitit 1999 në fshatin Nakovc, i armatosur me snajper duke lëvizur me veturë ka shtënë në drejtim të viktimës S.F. duke e goditur të njëjtin në këmbën e majtë.

Pasi viktima ishte rrëzuar, i dyshuari kishte shtënë sërish në drejtim të tij, por që fatmirësisht kishte shpëtuar dhe ka ikur në drejtim të Vushtrrisë ku i plagosur ka marrë ndihmën e parë një mjek, thuhet në dosje.

Gjatë kësaj kohe, sipas dosjes, i dyshuari ka qenë së bashku me disa persona të tjerë të cilët ende janë të paidentifikuar.

Ndërkaq dosja thotë se me datë 22 maj të po atij viti, tek varrezat e qytetit të Vushtrrisë, forcat serbe kishin tubuar rreth 20–50 mijë banorë civilë, të cilët ishin dëbuar nga vendbanimet e tyre.

Tutje, sipas dosjes së Prokurrisë, këta qytetarë ishin urdhëruar të uleshin në tokë me ç’rast kishin filluar t’i rrihnin, duke i goditur me shkop druri në pjesën e kokës dhe pjesë të tjera të trupit.

Sipas dosjes, të dyshuarit në bashkëkryerje me anëtarë të tjerë të forcave serbe i kanë ndarë meshkujt nga anëtarët e tjerë të familjes, të cilët i ngarkojnë në kamionë dhe më pas i dërgojnë në sallën e sporteve të Vushtrrisë, ku iu kishin drejtuar me fjalët se “kush ka para do t’i lirojnë”.

Këta persona nuk janë liruar por pasi u janë marrë paratë janë rrahur në mënyrë çnjerëzore dhe më pas janë dërguar në Burgun e Smrekonicës, thuhet tutje në dosjen e Prokurorisë.

Tutje, thuhet se këta persona janë lënë në kushte skllavërie, në mungesë të kushteve elementare për jetë e po ashtu ishin rrahur, torturuar e trajtuar në mënyrë ç’njerëzore nga ana e të dyshuarve.

Këtë burgosur ishin dërguar fillimisht në Shkollën Teknike në Mitrovicë për dhënien e deklaratave, pastaj sërish në Burgun e Smrekonicës e nga burgu në drejtim të Shqipërisë.

Sipas dosjes së Prokurorisë këto veprime të pretenduara të të dyshuarve bien në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare, dhe atë Konventën e Gjenevës.

Këtë kërkesë për caktim të masës së sigurisë e ka përpiluar Prokurorja Speciale, Florije Shamolli.