Miliona dokumente që lidhen me pedofilin e dënuar Jeffrey Epstein sugjerojnë ekzistencën e një sipërmarrjeje kriminale globale që kreu akte që përmbushin kriteret ligjore të krimeve kundër njerëzimit, ka deklaruar një panel ekspertësh të pavarur të emëruar nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara.
Ekspertët thanë se krimet e përshkruara në dokumentet e publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së u kryen mbi një sfond besimesh supremaciste, racizmi, korrupsioni dhe mizogjinie ekstreme. Sipas tyre, këto krime tregojnë një komodifikim dhe dehumanizim të grave dhe vajzave.
“Shkalla, natyra, karakteri sistematik dhe përhapja transnacionale e këtyre mizorive ndaj grave dhe vajzave është kaq e rëndë, sa disa prej tyre mund të përmbushin me të drejtë kriteret ligjore të krimeve kundër njerëzimit,” thuhet në deklaratën e ekspertëve.
Ekspertët theksuan se akuzat e përfshira në dosje kërkojnë një hetim të pavarur, të thellë dhe të paanshëm, dhe se duhet të nisë hetim edhe mbi mënyrën se si ishte e mundur që këto krime të kryheshin për kaq gjatë. Deri tani, Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së nuk ka dhënë një përgjigje për një kërkesë komentimi.
Një ligj, i miratuar nga Kongresi i SHBA-së me mbështetje të gjerë dypartiake në nëntor, kërkon që të gjitha dokumentet që lidhen me Epstein të bëhen publike.
Ekspertët e OKB-së shprehën gjithashtu shqetësime për “mosrespektimin serioz të rregullave dhe redaktimet e keqpunuara” që ekspozuan informacione të ndjeshme të viktimave. Më shumë se 1,200 viktima janë identifikuar në dokumentet e publikuara deri tani.
“Ngurrimi për të zbuluar informacionin në mënyrë të plotë ose për të zgjeruar hetimet ka lënë shumë mbijetues të ndihen të traumatizuar përsëri dhe të ekspozuar ndaj asaj që e përshkruajnë si ‘manipulim institucional’,” thanë ekspertët, sipas The Guardian.
Publikimi i dokumenteve nga Departamenti i Drejtësisë ka zbuluar lidhjet e Epstein me shumë njerëz të njohur në politikë, financë, akademi dhe biznes, si para, ashtu edhe pas pranimit të fajësisë në vitin 2008 për akuza të prostitucionit, përfshirë edhe rekrutimin e vajzave të mitura.
Epstein u gjet i vdekur në qelinë e tij në 2019, pas arrestimit të tij sërish për akuza federale të trafikut seksual të të miturve. Vdekja e tij u konsiderua si vetëvrasje.
