Draft-raporti vjetor për Kosovën në Parlamentin Evropian përshëndet formimin e Kuvendit dhe Qeverisë së re në Kosovë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, por shpreh keqardhje për dështimin e Kuvendit për të zgjedhur një president të ri brenda afatit kushtetues, duke shtyrë vendin drejt zgjedhjeve të reja.
Ky qëndrim reflektohet në draftin e përpiluar nga eurodeputeti Riho Terras, raportues për Kosovën në Parlamentin Evropian, i cili merr parasysh edhe dekretin mbi shpërbërjen e Kuvendit nga Presidentja Vjosa Osmani.
Drafti thekson se viti i kaluar u shënua nga paraliza politike dhe e konsideron vitin 2025 si një vit të humbur për Kosovën.
Raporti përshëndet heqjen graduale të masave ndëshkuese që filluan në maj të vitit të kaluar dhe bën thirrje për heqjen e menjëhershme të masave të mbetura, të cilat nuk janë më të justifikuara dhe vazhdojnë të kenë një ndikim negativ në shoqërinë kosovare.
Raporti mbështet kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa i bëhet thirrje pesë shteteve anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën, të ecin drejt njohjes, duke i mundësuar vendit të përparojë në mënyrë të barabartë me kandidatët e tjerë.
Dialogu mbi normalizimin e marrëdhënieve ishte i “i fjetur” në vitin 2025, pasi Kosovës i mungonte një qeveri me mandat dhe autoritet, dhe negociatat në këtë formë nuk kishin perspektivë. Megjithatë, drafti rikujton se normalizimi dhe zbatimi i angazhimeve të Dialogut mbeten pjesë integrale e perspektivës evropiane të Kosovës.
Në këtë kontekst, raporti thekson rëndësinë e angazhimit konstruktiv të Kosovës dhe Serbisë për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme për normalizimin, bazuar në njohjen reciproke dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Palëve u bëhet thirrje të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e dala nga Dialogu, përfshirë krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe heqjen e kundërshtimit të Serbisë ndaj anëtarësimit të Kosovës në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare.
Drafti për Kosovën do të diskutohet në Komitetin për Politikë të Jashtme javën e ardhshme, ndërsa më vonë gjatë vitit do të votohet në seancën plenare, ku do të marrë edhe versionin përfundimtar të Rezolutës së Parlamentit Evropian.
