Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Drejtori Llugaliu: Viti 2025 konfirmoi rekorde të reja për Doganën e Kosovës

 
   

Drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, ka bërë të ditur se viti 2025 ka siguruar vijimësinë e rezultateve rekord për këtë institucion, duke e cilësuar atë si një vit të performancës së lartë fiskale, operacionale dhe institucionale.

Në një postim të publikuar në rrjetin social LinkedIn, Llugaliu thekson se të hyrat e Doganës kanë arritur në 1.965 miliard euro, me një rritje prej 132 milionë euro krahasuar me vitin 2024 dhe mbi 3.5 për qind më shumë se projeksioni qeveritar. Sipas tij, këto rezultate janë dëshmi e menaxhimit efikas edhe në kushte të politikave lehtësuese për bizneset.

Llugaliu sqaron se vetëm gjatë vitit 2025, lirimet nga taksat për prodhuesit dhe nga marrëveshjet e tregtisë së lirë kanë arritur vlerën prej 67 milionë euro, duke e çuar totalin e taksave të liruara në këto kategori në 407 milionë euro.

Drejtori i Doganës vë në pah edhe intensifikimin e luftës kundër ekonomisë joformale, e cila ka ndikuar në rritjen e qëndrueshme të të hyrave, pothuajse dy herë më shpejt se rritja ekonomike. Ndërkohë, sekuestrimet dhe konfiskimet kanë tejkaluar ndjeshëm nivelin e vitit 2024 dhe janë mbi katër herë më të larta krahasuar me vitin 2019.

Sipas Llugaliut, mbrojtja e shoqërisë është forcuar përmes goditjeve të drejtpërdrejta ndaj narkotikëve, armëve, eksplozivit dhe mallrave të rrezikshme, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e sigurisë së vendit.

Ai nënvizon se, sipas të dhënave të CEFTA-s, Kosova prin në rajon për kohën më të shpejtë të zhdoganimit, duke e pozicionuar Doganën e Kosovës si një nga administratat më efikase doganore në Ballkanin Perëndimor.

Në fokus të zhvillimit institucional, Llugaliu përmend reformat e vazhdueshme, dixhitalizimin dhe inovacionin, përfshirë përdorimin e inteligjencës artificiale në menaxhimin e riskut dhe sistemet Track & Trace, që po e bëjnë Doganën më moderne dhe më funksionale.

Po ashtu, ai thekson rëndësinë e rekrutimit të gjeneratës së re prej 107 zyrtarësh doganorë, si investim strategjik në ndërtimin e kapaciteteve të qëndrueshme për të ardhmen.

“Në thelb, këto rezultate përkthehen në një Doganë më të fortë, për një ekonomi më të drejtë dhe një shoqëri më të sigurt”, përfundon Llugaliu në mesazhin e tij.