Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Dritëro Arifi: Me shumë gjasë vendi po shkon drejt zgjedhjeve

 
   

Profesori i shkencave politike, Dritëro Arifi, beson që fundi i këtij viti apo fillimi i vitit të ardhshëm vendin do ta dërgojë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, pasi asnjëra prej partive politike nuk i ka numrat e nevojshme për formimin e qeverisë së re.

Të mërkurën vazhdoi seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili jep afat 30 ditor për formimin e legjislativit të nëntë.

Në seancën e djeshme dy emrat e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për kryekuvendare e që ishin Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla dështuan për të siguruar 61 vota për t’u zgjedhur në krye të kësaj pozite.

Për këtë, profesori i shkencave politike, Dritëro Arifi thotë për KosovaPress se po mungon serioziteti dhe vullneti nga partitë politike për të krijuar institucionet e reja.

“Për fat të keq, po jetojmë në një epokë të një popullizmi primitiv, demokracia nuk është akt, është proces, ne nuk po shohim që ka proces të dialogut dhe të bashkëpunimit me parti të tjera. Nuk shkohet në Kuvend vetëm ky është emri. Pra, kjo i bie që këta as nuk po e kuptojnë dhe as nuk po duan ta dinë se çka është një sistem demokratik, i cili gjithmonë është në lëvizje, angazhime për të arritur një qëllim të caktuar. Po vërehet që këta duan që vetëm me akt të bëhet një punë e kryer, edhe partitë tjera, edhe Vetëvendosje thuajse e kanë për fat të keq mentalitetin e njëjtë, por në këtë rast mentaliteti i Vetëvendosjes lë shumë për të dëshiruar në mënyrën se si po dëshiron ta krijojnë Kuvendin dhe ta zgjedhin kryetarin e Kuvendit. Nuk po shoh seriozitet, nuk e kuptoj pse. Mendoj, se po të kishte vullnet dhe dëshirë, Vetëvendosje që më 10 shkurt do ta kishim qeverinë Kurti 3”, theksoi Arifi.

Arifi potencon se tashmë emri i propozuar nuk është me rëndësi, pasi siç shprehet ai “mënyra se si po dëshiron të ndërtohet Kuvendi i Kosovës lë për të dëshiruar”.

“Emri nuk është me rëndësi, me rëndësi është se si shkon procesi se si ndërtohet. Mënyra se si po dëshiron të ndërtohet Kuvendi i Kosovës lë shumë për të dëshiruar. Pra, nuk pres suksese dhe nëse nesër votohet cilido kandidat i Vetëvendosjes nuk shoh ndonjë sukses të theksuar në ndërtimin e Kuvendit dhe cilësinë e tij të punës kurdo që do të bëhet”, deklaroi njohësi i çështjeve politike.

Njohësi i çështjeve politike Dritëro Arifi nuk e përjashton mundësi që edhe brenda afat 30-ditorë të dhënë nga Kushtetuesja do të ndodhë konstituimi i Kuvendit.

Ai vlerëson se në mungesë të vullnetit të eksponentëve politik për formim të qeverisë vendi me shumë gjasë po shkon drejt zgjedhjeve.

“Sipas të gjitha gjasave ne po shkojmë drejt zgjedhjeve, sepse po vërehet se nuk ka vullnet për ta ndërtuar qeverinë, nuk është çështja më te Kuvendi, sepse Kuvendi edhe nëse bëhet, po vërehet që numrat për qeverinë nuk i ka asnjëra palë dhe kjo është evidente. Dhe prandaj, këta po mundohen me e shtyrë sa më shumë që është e mundur që zgjedhjet të mbahen diku në nëntor, dhjetor nëse ka mundësi ose vitin e ardhshëm. Në çfarëdo varianti, por shteti do të bllokohet ne po harrojmë që duhet të votohet edhe buxheti në dhjetor dhe pa një Kuvend…Më shumë po shoh një parodi një komedi e cila po vazhdon edhe njëherë një tallje politike me obligimet kushtetuese kështu jam duke e parë të gjithë storien që nga data e 9 shkurtit”, u shpreh Arifi.

Pas tri javësh, të mërkurën deputetët e zgjedhur u mblodhën në vazhdimin e seancës konstituive. Në seancën e djeshme, ashtu siç e kërkoi aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për bllokadën politike, votimi për kryekuvendar u bë me votim të hapur. Lëvizja Vetëvendosje propozoi Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvallën, por asnjëra nuk mori 61 votat për t’u zgjedhur kryetare e re e Kuvendit.

Pas dy dështimeve, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari e ndërpreu seancën, e cila do të vazhdojë të premten nga ora 11:00.

Të hënën Gjykata Kushtetuese e publikoi aktvendimin për ngërçin politik, aktgjykim i cili përcakton një afat 30 ditor për konstituim të Kuvendit të Kosovës. Sipas po këtij aktgjykimi një kandidat apo kandidate nuk mund të votohet më shumë se tri herë. Kosova më 9 shkurt të këtij viti mbajti zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.