Lajme

Driton Tali mohon pretendimet për kamp përqendrimi hebrenjsh në Prishtinë

 
   

Analisti Driton Tali ka hedhur poshtë pretendimet se gjatë Luftës së Dytë Botërore ka ekzistuar kamp përqendrimi për hebrenjtë në Prishtinë. Ai thekson se para luftës në Kosovë jetonin rreth 150 hebrenj dhe se nuk ka dokumente historike që dëshmojnë ndjekje masive apo kampe përqendrimi nga autoritetet italiane apo gjermane.

Sipas Talit, burimet historike flasin për rreth 20 viktima hebreje, kryesisht përmes deportimeve jashtë Kosovës, ndërsa shumica e komunitetit ishte strehuar në familje lokale. Ai shton se varrezat hebreje në Prishtinë dëshmojnë varrime normale fetare, jo viktima të persekutimeve masive

Tali e cilëson të pabazë historikisht çdo përpjekje për ta lidhur Kosovën me krime sistematike ndaj hebrenjve, duke theksuar se Izraeli ka qenë mirënjohës për qasjen e shqiptarëve ndaj komunitetit hebre.

Postimi i plotë:

Kamp përqëndrimi të hebrenjëve në Prishtinë!?

Paska shkretu apet “historiani gjeni” lidhur me “presekutimin” e hebrenjve në Kosovë.

Në Kosovë, para Luftës së Dytë Botërore, komuniteti hebreik kishte jo më shumë se 150 veta, kryesisht në Prishtinë, por kishte edhe në Gjilan, Pejë, Mitrovicë e Gjakovë, të cilët merreshin kryesisht me tregti.

Në fund të shekullit 19 dhe fillim të shekullit 20, kishte më shumë, diku rreth 1,500. Por për shkaqe ekonomike, mbase edhe politike të kohës, shpërngulën, dhe në prag të L2B ngelin jo më shumë se 150 hebrenj.

Tashti, sipas këtij “gjeniut”, po i bie se atëkohë kamp përqendrimi qenka ndërtuar për 150 hebrenj!?

Fakt tjetër historik është se Italia pati krejt një qasje ndryshe ndaj hebrenjëve. Dhe siç dihet, Italia e pati Kosovën (Shqipërinë) nën pushtim deri me kapitullimin e saj, zyrtarisht 8 shtator 1943, pastaj u zëvendësua nga Gjermania.

Pra, jo që nuk ka dokumente që tregojnë për “kampe përqendrimi” e burgime masive të hebrenjve nga italianët në Kosovë, por edhe botërisht është e pranuar se italianët ishin më të butë ndaj hebrenjëve.

Andaj, silogjizmi është se: në Kosovë nuk pati ndjekje masive të hebrenjëve e aq më pak “kamp përqendrimi”!!!

Disa individë mund të ishin arrestuar për arsye të ndryshme, qoftë administrative por edhe politike, por nuk ka dokumente që tregojnë burgime masive të hebrenjve nga italianët në Kosovë!

Ndërsa, pas zëvendësimit të okupatorit (nga italian në gjerman), në periudhën tetor 1943 – nëntor 1944, po ashtu nuk ka dokumente për presekutime.

Jo vetëm për shkak të kohës së shkurtër dhe përkeqësimit të pozitës së Gjermanisë, por edhe për shkak se hebrenjtë veç ishin të vetëdijshëm për situatën e tyre, andaj shumica e tyre kaluan në ilegalitet, zakonisht nëpër familjet rurale.

Burimet historike flasin për 20 viktima direkte hebreje, shumica deportime drejt kampëve të përqendrimit në Serbi apo Austri.

Edhe, nëse i shikojmë “Varrezat Hebreje” në Arbëri (Dragodan) dhe Velani (Tauk Bashqe), ku janë rreth 117, shihen se janë varre normale fetare, me mbishkrime hebraike, e jo varre të viktimave nga persekutimet masive.

Pra, me fjalë tjera, jo që nuk kishte kampe përqendrimi, por edhe “presekutimi” i hebrenjëve ishte i kufizuar.

Shih ti, në këtë datë historike, 27 janar (1945), kur ushtria sovjetike çliroi Aushvicin, dojnë debilat edhe këtë njollë, që realisht se kemi, të na e ngjesin! Serbët, të cilët masovisht i presekutuan hebrejtë, që nga 1938 (pastaj me “dušegubka”), e heshtin dhe e relativizojnë atë njollë të tyre, e ky debili na e etiketon!

Krejt për fund, sikur të ishte ashtu siç flet ky “gjeniu”, Izraeli moti do ta pohonte një gjë të tillë, sepse “kehilla” hebreje i ka mbajtur shënimet, por edhe “krimineli” Xhafer Deva nuk do të punësohej në Stanford (ShBA). Dhe Izraeli nuk do të ishte mirënjohës për qasjen tonë ndaj hebrenjëve

 
 
 
 

 

Të Ngjashme