Lajme

Dushi : Buxheti i miratuar- hap i rëndësishëm drejt një Prishtine më funksionale, më të zhvilluar dhe më të jetueshme

Kuvendi i Kryeqytetit ka miratuar sot Buxhetin e Prishtinës për vitin 2026, me vlerë totale prej 151,533,449 euro, duke e cilësuar si një dokument kyç që “përcakton drejtimin e zhvillimit dhe transformimit të Kryeqytetit”.Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Florian Dushi, ka theksuar se ky buxhet është ndërtuar “sipas prioriteteve dhe vizionit zhvillimor e transformues të Kryetarit Përparim Rama, me një qasje afatgjatë dhe të orientuar drejt qytetarit”.

Sipas Dushit, buxheti krijon bazën për investime dhe ndërhyrje konkrete në sektorët kryesorë që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Ai ka veçuar investimet kapitale dhe infrastrukturën urbane, përfshirë projekte për rrugë, sheshe, ndriçim publik, hapësira të gjelbra dhe transport urban, të cilat i ka cilësuar si “shtylla kryesore e zhvillimit të qëndrueshëm të Kryeqytetit”.“Ky buxhet adreson edhe shërbimet publike dhe funksionimin e qytetit, përfshirë mirëmbajtjen, pastërtinë, mobilitetin, sigurinë dhe funksionalitetin e hapësirave publike”, ka shkruar Dushi, duke shtuar se vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe shëndetësisë dhe arsimit, mirëqenies sociale, kulturës, rinisë dhe sportit, si dhe administratës komunale.
Ai ka theksuar se miratimi i buxhetit krijon siguri institucionale dhe i hap rrugë zbatimit të projekteve zhvillimore, duke e bërë dokumentin të gatshëm për inkorporim në Buxhetin e Republikës.“Ky është një hap i rëndësishëm drejt një Prishtine më funksionale, më të zhvilluar dhe më të jetueshme”, ka shkruar Dushi, duke e përmbyllur mesazhin me thirrjen: “Buxhet për zhvillim. Buxhet për transformim. Buxhet për Prishtinën”.

Të Ngjashme