
Imami i fshatit Serbicë të Prizrenit, Sebahudin Ibrahimi, si dhe ish-imami i fshatit Nashec të Prizrenit, aktualisht anëtar i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Qendrim Ibrahimi, janë duke u hetuar nga Prokuroria Themelore në Gjilan lidhur me dyshimet për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorim i besimit”.
Imami Ibrahimi ka thënë për “Betimin për Drejtësi” se bëhet fjalë për dyshimet për keqpërdorimin e donacioneve të një organizate.
Mirëpo, nuk ka dhënë më shumë detaje, duke thënë se ky është një keqkuptim.
“Ajo është një keqkuptim, ajo ka qenë organizata e ka pas aktivitetin e saj që e ka ba, është përdor emri im dhe disa njerëzve te tjerë për pako ushqimore e nuk e di për çka saktësisht u marrë organizata. Unë deklaratën e kam dhanë në Prokurori, rasti është procedurë e sipër. Është keqkuptim ka ndodh, e ka në dorë prokuroria”, ka thënë Ibrahimi.
I pyetur nëse është suspenduar nga detyra si imam nga Bashkësia Islame e Kosovës, nuk është përgjigjur duke e ndal telefonin.
Suspendimin e ka konfirmuar eprori i tij, kryeimami BIK-ut për Prizrenit, Orhan Bislimaj.
“Sebahudini ka qenë i suspenduar, dhe është i suspenduar. Kam qenë në pushim por ka ardhë një rekomandim për shkak që janë hap hetimet kundër tij”, ka thënë Bislimaj.
Media ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga ish-imami tash anëtar i BIK-ut, Qendrim Ibrahimi, mirëpo nuk ka arritur.
Për të, kryeimami i Prizrenit, ka thënë se nuk ka informacione nëse është suspenduar pasi është nën ombrellën e selisë qendrore. Mirëpo, sipas përgjigjes së Prokurorisë Themelore në Gjilan, ish-imami Ibrahimi është mbajtur në paraburgim për një muaj.
Meida ka tentuar të marrë përgjigje për këtë dhe nga Bashkësia Islame e Kosovës, mirëpo nuk janë përgjigjur deri në momentin e publikimit të lajmit.
Në anën tjetër, Prokuroria Themelore në Gjilan, ka konfirmuar se hetimet janë duke u zhvilluar ndaj katër personave: Q.I., S.I., M.M., dhe M.G.
Tutje, prokuroria ka sqaruar se të njëjtit janë arrestuar dhe ndaluar për 48 orë.
Më pas, me vendim të Gjykatës Themelore në Gjilan, ish-imamit Qendrim Ibrahimi i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji, ndërsa të tjerëve u është caktuar masa e paraqitjes në stacion policor.
“Prokuroria Themelore në Gjilan i ka ndaluar për 48 orë dhe ndaj të dyshuarit me inicialet Q.I, ka paraqitur Kërkesë për caktimin e masës së Paraburgimit, dhe ndaj të njëjtit Gjykata i ka caktuar Paraburgimin në kohëzgjatje prej një (1) muaj, e ndaj të dyshuarve tjerë me inicialet S.I, M.M, M.G Prokuroria Themelore në Gjilan ka paraqitur kërkesën për masën e arrestit shtëpiak, kurse Gjykata u ka caktuar masën e paraqitjes në Stacionin policor”.
“Betimi për Drejtësi” më 22 mars të këtij viti ka transmetuar emisionin “Ku u zhduken 166 mijë euro në Këshillin e BIK në Prishtinë”.
Për këtë, nga puna ishte larguar arkëtari i BIK në Prishtinë, Bahri Rexha.
Por, për afër dy vjet, Këshilli i Bashkësisë Islame të Kosovës ka mbajtur të fshehtë për institucionet e drejtësisë këtë vjedhje të pretenduar.
Madje, të njëjtit kishin tentuar ta mbyllnin këtë rast brenda organeve të BIK, duke mos e raportuar në institucionet e drejtësisë. Këtë e argumentonte edhe avokati i Këshillit, i cili kishte deklaruar se nga Rexha kishin kërkuar kthimin e mjeteve në mënyrë që rasti të mos raportohej në organet ndjekëse. Raportimi ishte bërë vetëm pas zhvillimit të hulumtimit nga “Betimi për Drejtësi”.