Lajme

​Dy javë afat për presidentin, Paçarizi: Zgjedhjet janë të pashmangshme

Kanë mbetur edhe rreth dy javë deri në afatin e përcaktuar për zgjedhjen e presidentit, në të kundërtën vendi mund të shkojë në zgjedhje që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Profesori universitar, Rrahman Paçarizi të vetmin opsion e sheh organizimin e serishëm të zgjedhjeve.

Kjo sepse konsideron se partitë në vend nuk janë të angazhuara për të gjetur zgjidhje.

“Opsioni i vetëm janë zgjedhjet”, profesori Rrahman Paçarizi kritikon mungesën e angazhimit politik

“Unë mendoj që opsioni i vetëm tashmë janë zgjedhjet, sepse siç duket askujt nuk po i intereson që të gjejë zgjidhjen. Është paksa e çuditshme qysh Lëvizja Vetëvendosje nuk po angazhohet pak më shumë për ta zgjedhur presidentin, sepse kjo do t’i siguronte një mandat të sigurt katërvjeçar. Pastaj duke pasur parasysh që Lëvizja Vetëvendosje edhe mandatin e kaluar e ka çuar deri në fund dhe ka realizuar programet që i ka pasur, e themi programet e asaj partie dhe sado që sulmohen, ato prapë janë programe politike të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilat siç e tha edhe zoti Kurti, duket sikur elektoratit i kanë pëlqyer dhe do t’i çojë deri në fund”, deklaron ai.

Sipas tij, barra i bie Lëvizjes Vetëvendosje, që zotëron numrin më të madh të ulëseve në organin më të lartë legjislativ.

Ai thotë se është vërejtur polarizim i skajshëm edhe në seancat parlamentare që janë mbajtur ditëve të fundit.

Paçarizi: Barra i bie LVV-së, nuk po ndonjë interesim për zgjedhjen e presidentit 

“Nuk ka pasur angazhim të tillë nga asnjëra palë, as më pak nga ata të cilët e kanë përgjegjësinë dhe i kanë punët në dorë, sepse, sado që do të mundoheshin Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me gjashtë deputetë, LDK-ja me 15 deputetë, apo edhe Partia Demokratike me 22 apo 23 deputetë nuk kanë numrat as për të siguruar nënshkrimet madje. Prandaj, barra këtu i bie Lëvizjes Vetëvendosje që është partia më e madhe, partia e cila ka kapacitet për të siguruar numra, për të siguruar nënshkrime, për të kandiduar njerëz, për t’i tërhequr eventualisht ata të cilët i ka kandiduar nga partia e saj. Prandaj, nisur nga të gjitha këto rrethana e duke pasur parasysh edhe situatën e krijuar në Kuvendin e Kosovës në ato dy-tri seanca që janë mbajtur, ku ka pasur një polarizim të skajshëm edhe në kuptim të pozicionimit partiak, edhe në kuptim të gjuhës që është përdorur nga të gjitha palët, domethënë nuk po shihet në horizont ndonjë interesim për zgjedhjen e presidentit”, shton ai për KosovaPress.

Albulena Haxhiu si kryekuvendare, ka marrë detyrën e presidentit më 5 prill, pas përfundimit të mandatit të Vjosa Osmanit.

Ajo mund ta ushtrojë këtë detyrë deri më 5 tetor, nëse nuk zgjidhet presidenti i ri deri më 28 prill, afat ky i dalë nga aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese.

Para një jave është mbajtur një takim mes kryeministrit Albin Kurti dhe kreu të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Ata kanë deklaruar se do t’i vazhdojnë diskutimet për çështjen e presidentit, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e reja.

Megjithatë, takime të tjera nuk ka pasur.

Paçarizi: Këta njerëz janë joseriozë

“Janë edhe dy javë, mirëpo janë harxhuar dy javë të tjera, janë harxhuar më shumë se dy javë të tjera, prandaj kjo tregon që këta njerëz përgjithësisht janë joseriozë. Nuk i janë qasur në mënyrën e duhur gjetjes së zgjidhjes. Një skenar do të mund të kishte qenë një ofertë për Partinë Demokratike të Kosovës, sepse siç edhe thotë zoti Kurti zakonisht në paraqitjet e tij, 80 vota, 81 vota nuk janë të mjaftueshme sepse nuk ofrojnë siguri për ta zgjedhur presidentin. Dhe vërtet çështja është delikate, është në kufijtë e vet. Ndërkohë takohet me Lidhjen Demokratike të Kosovës me të cilën nuk mund t’i bëjë më shumë se 81 deputetë bashkë me pakicat jo serbe të cilat e përkrahin zotin Kurti. Domethënë, një skenar është me PDK-në. Skenari tjetër është me LDK-në, eventualisht sikur t’i bashkëngjitej Aleanca, mirëpo Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tashmë është deklaruar që nuk do të hynte në situata të tilla, në koalicione të tilla”, shprehet ai.

Njohësi i çështjeve politike, Rrahman Paçarizi thotë se partitë kanë nisur fushatën nëpër komuna përmes takimeve me qytetarë.

Paçarizi: Opozita e hutuar, Osmani ka nisur fushatën, LVV me pakon 200 milionë euro në fushatë

“Ashiqare po, Lëvizja Vetëvendosje edhe me pakon që e ka miratuar, prej 200 milionë euro, praktikisht ka hyrë brenda fushatës, është brenda kornizave të fushatës. Partitë opozitare me një retorikë ashtu paksa trimëruese për vete, duket sikur po imponohen te elektorati si subjekte politike të fuqishme nga të cilat mund të pritet diçka, nga të cilat mund të shpresohet diçka, por duket sikur janë paksa të hutuara, paksa konfuze. Dhe në anën tjetër edhe zonja Osmani, tashmë e ka nisur fushatën, madje edhe pa e kryer mandatin e saj, me atë turin nëpër disa komuna, të cilin po e vazhdon edhe tash, me qasjen që e zhvillojnë, stafi i saj, ish-stafi i saj sepse nuk e di tash si mund të konsiderohen ata kanë hyrë tashmë në kornizat e fushatës sepse duket sikur zgjedhjet janë të pashmangshme”, përfundon ai.

Lëvizja Vetëvendosje në seancën e 5 marsit i ka propozuar dy emra për pozitën e presidentit, Glauk Konjufcën dhe Fatmire Mulhaxha Kollçakun.

Në mungesë kuorumi, kishte dështuar votimi i tyre. Ish-presidentja, Vjosa Osmani, të nesërmen kishte njoftuar për dekretin e shpërndarjes së kuvendit, për çka LVV e çoi në Gjykatë Kushtetuese meqë e konsideroi se jokushtetues.

Gjykata Kushtetuese, më 25 mars, e shpalli të pavlefshëm dekretin e Osmanit, duke dhënë kohë prej 34 ditësh për zgjedhje të presidentit. Në rast se një e gjë e tillë nuk arrihet, atëherë Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje që duhet të mbahen brenda 45 ditësh. 

Të Ngjashme