Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Dy të rinjtë e gjetur të vdekur në Pejë, Nikçi jep detaje të reja

 
   

Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokuroria Themelore në Pejë ka folur lidhur me rastin e vdekjes së dy të rinjve, një ditë më parë, në një vilë në Pejë.

“Me të pranuar informatën, fillimisht ka dalë në vendin e ngjarjes Policia e Kosovës, më pas është njoftuar Prokuroria Themelore në Pejë, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda. Me të kuptuar se janë dy viktima dhe për ta trajtuar më seriozisht rastin, në vendin e ngjarjes ka shkuar edhe kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore, znj. Lumturie Buqetaj, së bashku me prokurorin për krime të rënda”, ka deklaruar ai.

Nikçi ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes kanë qenë njësitë relevante policore, përfshirë Hetimet Rajonale dhe Krim-Teknikën. “Janë dy viktima, një mashkull dhe një femër. Me autorizim të prokurorit të shtetit, Policia e Kosovës ka sekuestruar prova materiale, përfshirë kamera, telefona, si dhe ka intervistuar dëshmitarë të mundshëm që mund të kenë informata për hyrjen në objekt dhe rrethana të tjera që mund të shërbejnë për veprimet e mëtejshme hetimore”, ka thënë ai.

Sipas tij, me urdhër të prokurorit të shtetit, dy trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi, e cila pritet të sqarojë shkaqet dhe rrethanat e vdekjes.

Ai ka shtuar se në vendin e ngjarjes nuk është gjetur as armë dhe as shenja dhune.