Një ngjarje kriminale ka tronditur fshatin Majac të Podujevës, ku një person u gjet i vdekur brenda një automjeti, ndërsa dy gra u plagosën rëndë në një shtëpi.
Njëra nga gratë nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë në QKUK, duke e çuar numrin e viktimave në dy.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së dielës, rreth orës 18:40, kur policia mori njoftim për një person të pa shenja jete në një veturë VW ngjyrë e bardhë me targa vendore.Në vendngjarje mbërritën menjëherë forca policore, ekipe mjekësore dhe prokurori kompetent.
Gjatë hetimeve, u raportua se një grua ishte e armatosur brenda një shtëpie, duke paraqitur rrezik për të tjerët.
Pas ndërhyrjes së Njësisë Speciale Intervenuese, situata u qetësua dhe dy gratë u dërguan në QKUK, ku njëra ndërroi jetë.Trupi i pajetë i personit të gjetur në veturë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Rasti është ri-cilësuar si vrasje e rëndë dhe përfshin mbajtje të paautorizuar të armëve. Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vazhdojnë.
