Dy vorbulla uji janë shfaqur të premten në mëngjes pranë portit të Marsalës, në bregun perëndimor të Sicilisë, duke krijuar një pamje spektakolare që u filmua nga zona portuale.
Fenomeni natyror u shfaq në një kohë kur rajoni po përballet me përkeqësim të kushteve atmosferike, me reshje shiu, bubullima dhe erëra të forta.
Vorbullat u formuan mbi sipërfaqen e detit, ndërsa pamjet tregojnë dy shtylla që shtrihen nga retë deri në ujë. Afërsia e tyre me bregdetin tërhoqi vëmendjen e qytetarëve.
Autoritetet meteorologjike kishin paralajmëruar për stuhi të mundshme, reshje të dendura, breshër dhe vetëtima në disa pjesë të Sicilisë, veçanërisht në zonën e Trapanit dhe përgjatë bregdetit tirren.
Për ishullin ishte lëshuar alarm i verdhë meteorologjik, ndërsa qytetarëve u ishte bërë thirrje të tregoheshin të kujdesshëm në zonat e rrezikuara nga përmbytjet.
Vorbullat e ujit janë fenomene atmosferike që formohen mbi det dhe shfaqen si shtylla rrotulluese ajri, të lidhura me retë. Ato krijohen kur kushtet atmosferike favorizojnë ngritjen dhe rrotullimin e ajrit mbi sipërfaqen e ujit.
Ky fenomen është më i zakonshëm gjatë vjeshtës, kur deti mbetet relativisht i ngrohtë, ndërsa masa më të ftohta ajri kalojnë mbi të, duke krijuar kushte të favorshme për zhvillimin e stuhive.
