Lajme

​Dyshimet për dallavere me vota në rajonin e Mitrovicës, 34 kryesues ndalohen për 48 orë

 
   

Procesi i intervistimit të 43 kryesuesve të Qendrave Komunale të Numërimit në Mitrovicë të Jugut, Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan ka përfunduar, ndërsa 34 kryesues të intervistuarit janë dërguar në mbajtje 48-orëshe në Lipjan. Disa persona të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.

Lajmin e ka konfirmuar për kp zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni, i cili ka bërë të ditur se 34 persona janë ndaluar për 48 orë.

“Po, 34 persona janë ndaluar, nga Mitrovica e Jugut dhe ajo e Veriut”, ka deklaruar Preteni. Ai ka shtuar se nga të ndaluarit, 21 janë nga Mitrovica e Jugut, ndërsa 13 nga Mitrovica e Veriut.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka theksuar se hetimet po zhvillohen në koordinim me Policinë e Kosovës, duke siguruar se çdo rast i dyshuar do të trajtohet me seriozitet.

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë dhe Policia e Kosovës mbeten të përkushtuar në mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve dhe trajtimit të çdo rasti të dyshuar, me synimin e mbrojtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Gjatë ditës, Berat Peci avokati i njërit prej të dyshuarve, ka deklaruar se klienti i tij ka mohuar se ka pasur qëllim për të manipuluar procesin.

“Klienti i tij ka deklaruar se nuk ka dorë dhe nuk ka pasur interes apo qëllim që të falsifikojë apo të anojë për një kandidat apo të një subjekt të caktuar”, ka thënë Peci.

Ai ka shtuar se dyshimet kanë të bëjnë me vendosje apo shtim të rezultateve në favor të dikujt, por sipas tij, klienti nuk e ka bërë këtë me qëllim.

“Realisht dyshohet se ka vendosur apo shtuar rezultat apo votat në favor të dikujt, por siç e ceki edhe klienti im ai nuk ka pasur as qëllim e as ndonjë dëshir apo ndonjë formë tjetër që t’i vendos dikujt vota”, ka thënë Peci.

Sipas Pecit, diferencat në kutitë ku klienti i tij ka qenë kryesues kanë qenë minimale.

“Klienti im nga provat që kishte me vete rezultonte se nga të gjitha kutit ku kishte marrë pjesë si kryesues rezultati ishte minimal 2 ose 3 vota plus minus në marzhën e gabimit që lejohet nga Komisioni Qendror Zgjedhor”, ka deklaruar ai.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë zhvilluar më 28 dhjetor, derisa rezultatet përfunimtare nga KQZ-ja janë publikuar të shtunën.

 
 
 
 

 

Të Ngjashme