Lajme

E dëmtoi postën me vlerë mbi 70 mijë euro, Gjykata e Pejës e dënon me 3 vjet burgim të pandehurin D.F.

Gjykata Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit D.F., për shkak të veprës penale “Përvetësimi në detyrë”, nga neni 425, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1 të Kodit penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Pas shqyrtimit gjyqësor, gjykata e shpalli fajtor të pandehurin dhe ndaj tij shqiptoi dënim me burgim në kohëzgjatje prej 3 (tre) vjetësh, duke përfshirë kohën e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak, si edhe dënim me gjobë në shumën prej 1000 (njëmijë) eurosh, të cilën i pandehuri do ta paguajë brenda 30 ditëve pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Sipas nenit 62, paragrafi 2, pika 2.2 të KPRK-së, i pandehuri urdhërohet që t’i paguajë palës së dëmtuar Postës së Kosovës – Mitrovica 1 shumën prej 71.572,26 euro, brenda 3 muajve nga marrja e formës së prerë të aktgjykimit, nën kërcënimin e përmbarimit me detyrim.

Sipas nenit 62, paragrafi 2, pika 2.3 të KPRK-së, i pandehurit i ndalohet ushtrimi i funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik për një periudhë dyvjeçare, pas vuajtjes së dënimit me burgim.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej tridhjetë (30) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.

Të Ngjashme