Një grua 59-vjeçare është shpëtuar nga policia pasi tentoi të mbytej në lumin Buna, në Shkodër.
Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 09:30 në Sallën Operative është marrë informacion se një shtetase ishte hedhur në ujërat e lumit. Menjëherë pas sinjalizimit, shërbimet e Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Shkodër janë nisur drejt vendngjarjes.
Efektivët kanë ndërhyrë me shpejtësi, duke hyrë në ujë dhe duke bërë të mundur nxjerrjen e 59-vjeçares. Ajo është gjetur në gjendje të rëndë shëndetësore, por me shenja jete. Policia i ka dhënë ndihmën e parë në vend, deri në mbërritjen e shërbimit të urgjencës.
Shtetasja, e identifikuar me inicialet V. T., është transportuar me autoambulancë në Spitalin Rajonal të Shkodrës për trajtim të mëtejshëm mjekësor.
Autoritetet po punojnë për të sqaruar rrethanat e ngjarjes, ndërsa nuk janë dhënë ende detaje mbi shkaqet që çuan në këtë akt.
