“Nuk e di për çfarë po flisni”, “Nuk është e drejtë”, “Është gabim absolut”, “Kjo është qesharake”. Këto janë komentet e disa banorëve të Mitrovicës së Veriut në lidhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës për t’i shpallur organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”.
Këto organizata serbe besohet se veprojnë në veri të Kosovës.
Qytetarët, me të cilët bisedoi REL-i të premten, një ditë pas vendimit të Qeverisë, mendojnë se ato nuk ekzistojnë. Po akuzohen “organizata virtuale”, thonë ata.
Në të njëjtën ditë, koment të ngjashëm bëri edhe Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila mbështetet nga Beogradi zyrtar.
“Kujtojmë qytetarët se ‘Brigada e Veriut’ është një organizatë virtuale, që ekziston në kokën e [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurti dhe ‘Mbrojtja Civile’, me ish-punëtorët e saj, është integruar në institucionet e Kosovës, nga të cilat këta punëtorë edhe sot marrin paga”, tha Lista Serbe.
Sipas saj, ky vendim “do të ishte qesharak, po të mos ishte i rrezikshëm”, dhe, në fakt, është “plan për përshkallëzim, represion dhe pushtim të veriut të Kosovës”.
Ekspertë të sigurisë thonë se është e pamundur që të përcaktohen anëtarët e këtyre organizatave dhe se vendimi është “i paarsyeshëm” nëse nuk ka prova.
Autoritetet e Kosovës, në anën tjetër, thonë se anëtarët e këtyre dy organizatave qëndrojnë pas trazirave të fundit në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – dhe se ato “paraqesin kërcënim serioz dhe të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë e Kosovës”.
Ajo që mbetet e paqartë tani për tani është se si do t’i identifikojë Kosova pjesëtarët e “Mbrojtjes Civile” dhe të “Brigadës së Veriut”.
REL-i kontaktoi Ministrinë e Punëve të Brendshme, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.
A është i mundur identifikimi dhe në çfarë mënyre?
Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, i cili votoi kundër vendimit të Qeverisë për shpalljen terroriste të dy organizatave në fjalë, thotë se, aktualisht, nuk është e qartë se çfarë “metode” planifikon të përdorë Qeveria e Kosovës për të përcaktuar nëse dikush është anëtar i këtyre organizatave.
“Kush do t’i identifikojë, kush do ta thotë praktikisht se dikush është terrorist”, pyetet Rashiq.
Ai thotë se, deri më tani, nuk ka arritur të marrë përgjigje nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.
Duke folur për REL-in, Rashiq po ashtu thotë se vendimi nuk është diskutuar paraprakisht dhe se ai ka qenë i “ngutshëm”.
“Dua të besoj se kjo është bërë me qëllim të parandalimit të veprimeve të mëtejshme në atë lloj organizimi… Ka shumë paqartësi rreth metodologjisë së zbatimit të atij vendimi. Shpresoj se nuk do të ketë pasoja për mbijetesën e serbëve në veri të Kosovës”, thotë Rashiq.
Verolub Petroniq, hulumtues në fushën e sigurisë nga Mitrovica e Veriut, beson se, në rrethanat aktuale, është pothuajse e pamundur të përcaktohet se kush është anëtar i këtyre organizatave.
“Është shumë e vështirë dhe është shumë e diskutueshme se si dhe në çfarë mënyre do të bëhet [identifikimi]”, thotë Petroniq për REL-in, duke shtuar se këto organizata nuk janë të regjistruara askund.
Ai thotë se, para së gjithash, duhet të përcaktohet qartë dhe saktë se përse “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” janë shpallur organizata terroriste, gjegjësisht për çfarë veprash akuzohen.
Ai shton se duhet të dëshmohet se këto dy organizata janë të regjistruara dhe se nga financohen. Nuk e përjashton mundësinë që vetëm personat, të cilët tashmë janë arrestuar nga forcat e sigurisë së Kosovës, të trajtohen si terroristë.
Së voni, Policia e Kosovës ka arrestuar dhjetë persona, të cilët akuzohen për sulme ndaj rendit kushtetues, personave në uniformë dhe gazetarëve në veri.
Në mesin e tyre është edhe Millun Millenkoviq – Llune, për të cilin autoritetet kosovare thonë se është “një nga udhëheqësit e Mbrojtjes Civile”.
A mund të vërtetohet se dikush është pjesëtar i “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës së Veriut”?
Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për shpalljen e “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës së Veriut” organizata terroriste, është vetëm një “copë letre”, nëse nuk i bashkëngjiten prova.
“Prokuroria duhet të sigurojë prova për çdo arrestim [nën dyshimet për kryerjen e aktit terrorist]”, thotë Miftaraj.
Ai shton se Qeveria e Kosovës, bazuar në ligjet aktuale, ka të drejtë ta shpallë një organizatë terroriste dhe se çdo anëtar i një organizate të tillë mund t’i nënshtrohet ndjekjes penale dhe procedurave gjyqësore.
“Por, për ta zbatuar një vendim të tillë në praktikë, duhet të sigurohen procedura të drejta gjyqësore kundër çdo individi që mund të jetë pjesë e organizatave të tilla”, thotë Miftaraj.
Çfarë thotë ligji?
Në bazë të Kodit Penal të Kosovës, kur një organizatë shpallet terroriste, aktiviteti i saj ndalohet menjëherë. Të gjitha aktivitetet e mëvonshme të organizatave të tilla sjellin pasoja të rënda ligjore.
Kodi Penal i Kosovës me termin “terrorizëm” parasheh ekzekutimin e një apo më shumë veprave penale, “me qëllim të frikësimit serioz të popullatës, kushtëzimit të paligjshëm të institucioneve, qeverisë apo organizatave ndërkombëtare”, si dhe “destabilizimin apo shkatërrimin e strukturës politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Kosovës”.
Disa nga veprimet që përfshijnë këto krime, janë: vrasja, marrja e pengjeve ose rrëmbimi, armatosja, transportimi dhe përdorimi i armëve, eksplozivëve, armëve kimike ose biologjike.
Dënimi me burg për terrorizëm në Kosovë është nga pesë deri në njëzet vjet, varësisht nga roli që luan një person ose nga ashpërsia e krimit të kryer.
Për çfarë akuzohen “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha më 29 qershor se “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” kanë kryer aksione “me elemente terroriste”, si: sulme të armatosura ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, anëtarëve të misionit të NATO-s, KFOR, dhe të Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit, EULEX”.
Ai, po ashtu, tha se këto dy organizata kanë bërë thirrje për rezistencë dhe mosbindje dhe se i kanë “detyruar” qytetarët të dalin në protesta dhe barrikada, për t’iu kundërvënë autoriteteve të Kosovës.
Kurti tha se këto dy organizata “kanë rekrutuar dhe trajnuar anëtarë për përdorimin e armëve dhe metodave luftarake në bazat ushtarake në Serbi, me qëllim të kryerjes së sulmeve ndaj institucioneve vendore dhe misioneve ndërkombëtare në Kosovë”.
Gjithashtu, sipas autoriteteve të Kosovës, këto dy organizata kanë frikësuar dhe penguar kandidatët dhe subjektet politike që të marrin pjesë në zgjedhjet në veri të Kosovës.
“Niveli i kërcënimit dhe rrezikshmërisë nga këto formacione ilegale është i lartë. Institucionet e Kosovës në vazhdimësi kundërshtojnë veprimtarinë e këtyre formacioneve, për të parandaluar pasojat, si për qytetarët, ashtu edhe për anëtarët e institucioneve të vendit tonë dhe praninë ndërkombëtare në Kosovë”, tha Kurti.
Eksperti i sigurisë, Petroniq, thotë se këto akte mund të klasifikohen vetëm si “dhunë apo rrezikim i sigurisë publike përmes dhunës”.
“Tani, do të shohim nëse do të përpiqen ta përdorin termin ‘nxitje terrorizmi’. Të shohim se si dikush mund ta bëjë këtë ligjërisht, pa rënë në grackën e tij”, thotë Petroniq.
Çfarë thonë qytetarët?
Millenko nga Mitrovica e Veriut, njëra nga katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, thotë shkurtimisht se vendimi i Qeverisë së Kosovës për shpalljen e “Mbrojtjes Civile” dhe të “Brigadës së Veriut” organizata terroriste, është “i gabuar”.
Sasha deklaron se këto organizata nuk ekzistojnë dhe beson se ato janë vetëm “virtuale”.
“Ato ekzistojnë në kokat e tyre”, thotë ai.
Për Nenadin, vendimi i Qeverisë së Kosovës është “gabim absolut”. Sipas tij, po akuzohen “organizata joekzistente”.
Çfarë dihet për “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”?
“Mbrojtja Civile” është shpërbërë zyrtarisht në veri të Kosovës në vitin 2015/16, bazuar në Marrëveshjen e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Punëtorët e kësaj organizate, më pas, janë integruar në institucionet e Kosovës.
Sipas të dhënave të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, “Mbrojtja Civile” në Kosovë përbëhej nga pjesëtarë që kishin kaluar trajnime ushtarake dhe konsideroheshin shumë të rrezikshëm për sigurinë e Kosovës.
REL-i nuk arriti të konfirmojë nëse pas shpërbërjes zyrtare, “Mbrojtja Civile” ka funksionuar fshehurazi apo është rinovuar.
“Brigada e Veriut” që nga fundi i vitit të kaluar ka nënshkruar grafite në veri të Kosovës. Disa prej tyre thonë: “Mos u shqetësoni! Ne jemi këtu! Po presim!”. Në disa raste është firmosur edhe si “Brigada Veriu”.
Nuk dihet se kush qëndron pas saj, e as nëse bëhet fjalë për ndonjë organizatë formale.
Departamenti amerikan i Shtetit tha ndërkohë për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Shtetet e Bashkuara kur ka marrë vendimin për shpalljen terroriste të këtyre dy organizatave.
Ai i bëri thirrje Kosovës që të përmbahet nga hapat e njëanshëm, derisa vendet perëndimore të punojnë për zgjidhjen e krizës aktuale në veri.
Kriza u thellua nga fundi i majit, kur kryetarët shqiptarë të komunave në veri u vendosën në zyrat e tyre, përkundër rezistencës së banorëve lokalë serbë./REL