Aktuale

“E vrava babin!”- I mbylli në kasafortë videolojën, 11-vjeçari qëllon të atin me armë teksa flinte! I mituri del para gjykatës

Një 11-vjeçar nga Pensilvania u paraqit në gjykatë me pranga dhe i shoqëruar nga roje, pasi akuzohet se qëlloi për vdekje babain e tij brenda shtëpisë, pas një konflikti për një video-lojë.

Clayton Dietz përballet me akuzën e vrasjes dhe do të gjykohet si i rritur për ngjarjen e ndodhur më 13 janar, në ditën e tij të lindjes, në zonën Duncannon, në veri të Harrisburg.

Sipas autoriteteve, 11-vjeçari po kërkonte lojën e tij Nintendo, të cilën prindërit ia kishin marrë dhe e kishin vendosur, së bashku me një revolver, në një kasafortë brenda shtëpisë.

I mituri dyshohet se gjeti çelësat e kasafortës, e hapi atë dhe mori armën. Sipas dosjes hetimore, ai e mbushi revolverin me plumba dhe u drejtua drejt shtratit ku po flinte njerku i tij 42-vjeçar, Douglas Dietz. Më pas, ai e qëlloi në kokë ndërsa ishte në gjumë.

Policia mbërriti në banesë rreth orës 03:20 të mëngjesit, pas një telefonate për të shtëna me armë. Oficerët gjetën 42-vjeçarin me plagë plumbi në kokë, ndërsa 11-vjeçari raportohet se bërtiste.

Sipas dokumenteve gjyqësore, fëmija thërriste “Babi është i vdekur” dhe i kishte thënë nënës së tij: “E vrava babin”.

Gjatë marrjes në pyetje, kur u pyet se çfarë mendonte se do të ndodhte pasi qëlloi, ai u përgjigj se ishte i zemëruar dhe “nuk mendoi se çfarë do të ndodhte”.

Bashkëshortja e viktimës deklaroi se u zgjua nga një zhurmë e fortë dhe ndjeu një erë që i kujtoi fishekzjarrët. Ajo u përpoq ta zgjonte bashkëshortin, por ai nuk reagonte.

Pak sekonda më vonë, dëgjoi një tingull si pika uji që binin, derisa kuptoi se bëhej fjalë për gjak që përshkonte çarçafët.

11-vjeçari, i cili ishte adoptuar në vitin 2018, u paraqit me pranga në Gjykatën e Qarkut Perry, duke shkaktuar tronditje tek të pranishmit.

Rasti ka ngjallur reagime të forta dhe ka rihapur debatin në SHBA mbi aksesin e të miturve në armë, si dhe mbi çështjen nëse një fëmijë i kësaj moshe mund të gjykohet si i rritur për një krim kaq të rëndë.

Hetimet vijojnë, ndërsa gjykata pritet të vendosë për hapat e mëtejshëm në një çështje që ka tronditur opinionin publik amerikan.

Të Ngjashme