Lajme

Edhe në rigjykim, dënohet me 20 vjet burgim i akuzuari për vrasjen në Hajvali

Edhe në rigjykim, Gjykata Themelore në Prishtinë, shpalli aktgjykim dënues ndaj Shkumbin Kryeziut, i cili ngarkohet për vrasjen e V.Xh., në dhjetor të 2021-ës në Hajvali, duke e dënuar me dënim unik prej 20 vjet burgim.

Aktgjykimi u shpall të mërkurën nga kryetari i trupit gjykues, Ertan Sejfulla dhe anëtarët Fatime Dermaku dhe Naser Foniqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për “Vrasje në bashkëkryerje”, Kryeziu u dënua me 19 vjet e gjysmë burgim, për “Armëmbajtje pa leje” u dënua me 1 vit burgim. Ndaj tij, Gjykata shpalli dënim unik, me të cilin Kryeziun e dënoi me dënim unik prej 20 vjet burgim.

Në dënimin me burgim, të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburigm. Të njëjtit iu vazhdua masa e paraburgimit deri në plotfuqishmëri të vendimit.

I akuzuari obligohe t’i paguajë edhe shpenzimet e procedurës penale dhe atë për paushallin gjyqësor 100 euro dhe 50 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

Pala e dëmtuar udhëzohet në kontest të rregullt juridiko-civil.

I akuzuari Kryeziu nuk ishte i pranishëm në shpallje.

Kujtojmë se në seancën e 2 prillit 2026, gjatë fjalës përfundimtare, i akuzuari Kryeziu deklaroi se ai nuk e ka kryer vrasjen për të cilën ngarkohet por që kryerësi është vëllai i tij i mitur, për të cilin është munduar ta marrë përgjegjësinë.

Ndryshe, Gjykata Themelore e Prishtinës, më 25 korrik 2024, e kishte dënuar të akuzuarin Kryeziu me 20 vite burgim. Por, rasti është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit me vendimin e përpiluar më 5 shkurt 2025, përmes të cilit thuhej se në rigjykim duhet të administrohen edhe një herë provat, të vlerësohet mendimi i ekspertit mjeko-ligjor nëse ftohet edhe një herë, të shihet nga Agjencia Kosovare e Forenzikës (AKF) ekzaminimi i mjetit të sekuestruar, e që nëse nuk është bërë ekzaminimi, të bëhet i njëjti.

Ndryshe, për veprën penale “Mbajtje në pronësi të paautorizuar të armëve”, Kryeziu kishte pranuar fajësinë më 16 janar 2023 gjatë shqyrtimit fillestar. Edhe në seancën e rigjykimit më 2 prill 2026, ai tha se e pranon fajësinë për të njëjtën vepër penale. Kurse, për të miturin A.K. është zhvilluar një procedurë tjetër dhe i njëjti është dënuar tashmë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 29 dhjetor 2022, thuhet se më 10 dhjetor 2021, rreth orës 21:25, në rrugën “Tom Lantosh” në fshatin Hajvali, Komuna e Prishtinës, i akuzuari Shkumbin Kryeziu me të miturin A.K., në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve”.

Në aktakuzë thuhet se pasi kanë zbritur nga autobusi dëshmitari Kujtim Pacolli me tani të ndjerin V.Xh., në të cilin autobus ishte edhe i pandehuri Shkumbin Kryeziu, tani i ndjeri V.Xh. dhe dëshmitari Kujtim Pacolli janë nisur në drejtim të shtëpisë së tyre, duke i rënë rrugës më të shkurtër në oborrin e shkollës “Afrim Gashi” në Hajvali, ku në oborrin e shkollës ishin i mituri A.K., dëshmitarët Gojart Sejdiu dhe Mirsad Haxholli, ku i mituri A.K. i drejtohet tani të ndjerit V.Xh. me fjalët “çka po më kqyr?”.

Ndërsa tani i ndjeri V.Xh., thuhet se ia kthen duke e sharë nga distanca prej rreth 3 metrash, dhe në të njëjtin moment i mituri A. nxjerr thikën nga xhepi i djathtë, derisa dëshmitari Kujtim ka reaguar menjëherë duke i thënë tani të ndjerit V.Xh. “ik se ka thikë”. Në ato momente ka arritur i pandehuri Shkumbin Kryeziu, i cili me thikë në dorë, së bashku me të miturin A.K., e kanë ndjekur tani të ndjerin V., me të cilin në ikje ishte dëshmitari Kujtim Pacolli. Ky i fundit është rrëzuar, ndërsa i pandehuri Shkumbin dhe i mituri A. kanë vazhduar ta ndjekin tani të ndjerin V., të dy me thika në duar dhe nga hakmarrja për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme që kishte i pandehuri Shkumbin Kryeziu me të ndjerin V.Xh., me dashje që ta privojnë nga jeta, i pandehuri Shkumbin dhe i mituri A. e godasin me thika në trup tani të ndjerin V.

Ata kanë vazhduar ta ndjekin dhe, derisa ishte duke shkuar dëshmitari Kujtim në drejtim të tani të ndjerit V.Xh., i pandehuri dhe i mituri i janë vërsulur me thika në dorë dëshmitarit Kujtim, duke i thënë: “Ik se ta bajna ma zi se atina.”

Sipas aktakuzës, dëshmitari Kujtim ka vazhduar në drejtim të tani të ndjerit V., i cili në ato momente ishte ende duke ikur, kur përnjëherë ishte rrëzuar për tokë dhe ka qenë i tëri i mbuluar me gjak, duke iu drejtuar dëshmitarit Kujtim me fjalët “thirre emergjencën”, e pas kësaj nuk ka qenë në gjendje të flasë, ndërsa rreth orës 23:25 ka ndërruar jetë në QKUK, si pasojë e plagëve të marra.

Me këtë, i pandehuri Shkumbin Kryeziu akuzohej se në bashkëkryerje me të miturin A.K. ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par. 1 pika 1.8 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Sipas dispozitivit të dytë, në vendin, kohën dhe ditën e njëjtë si në dispozitivin I të kësaj aktakuze, i pandehuri Shkumbin Kryeziu, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armë, ka mbajtur në pronësi armë, përkatësisht një thikë me gjatësi 6 cm, me mbishkrimin “Leatherman Sidekick”, të cilën e ka përdorur për ta kryer veprën penale si në dispozitivin I të aktakuzës dhe të cilën policia e ka gjetur dhe sekuestruar nga i pandehuri Kryeziu gjatë arrestimit të tij.

Me këtë, i pandehuri Shkumbin Kryeziu ngarkohej se ka kryer veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK-së.

Të Ngjashme