Mazhoranca në Kuvend ka rrëzuar me 77 vota kundër kërkesën e Partisë Demokratike për të nisur procedurën e përshpejtuar lidhur me projektligjin për uljen e çmimit të naftës.
Deputeti demokrat Eno Bozdo argumentoi se ligji synonte futjen e një mekanizmi të ri për të kontrolluar çmimin e naftës dhe për të siguruar transparencë, duke reduktuar taksat dhe duke mbrojtur ekonominë e familjeve dhe fermerëve.
“Le ta miratojmë këtë projektligj për të dhënë sinjal se edhe në kohë të vështira kujdesemi për qytetarët”, tha Bozdo.
“Çfarë na ofron qeveria shqiptare sot? Bordin e transparencës që vetëm vrojton rritjen. Bordi është vullneti politik i kryeministrit. Ndërsa mekanizmi ynë është ligji që mbron qytetarët.
Le ta miratojmë këtë projektligj sot, për të shprehur vullnetin politik se do t’i reduktojmë taksat e naftës dhe bashkë me to, do të miratojmë edhe një mekanizëm që jo vetëm menaxhon sipas standardeve më të mira europiane rezervën e sigurisë, por siguron transparencë.
Për këtë krizë, por edhe për të tjera, garantojmë që çmimi do të ulet automatikisht dhe qeveria nuk do të përfitojë nga kriza.
Ta miratojmë këtë ligj edhe për të dhënë sinjalin që edhe në kohë të vështira, mendojmë për ekonominë familjare, kombëtare, për fermerët”, tha Bozdo.
Nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se projektligji nuk mund të sillet për votim pasi nuk ndodhet në rendin e ditës dhe theksoi se çmimi i naftës përcaktohet nga bursat ndërkombëtare. Balla shtoi se bordi i transparencës është një mekanizëm i përdorur edhe më parë në situata krizash, duke theksuar se nismat e opozitës duhet të shqyrtohen, por jo në këtë variant procedural.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, tha se nuk mund të sillet për t’u votuar një projektligj, i cili nuk ndodhet në rendin e ditës. Kjo ishte dhe arsyeja zyrtare pse PS e rrëzoi draftin demokrat.
“Ju mos u mërzisni se nismat tuaja ligjore i votojmë kundër”, u tha Balla demokratëve.
