Kryetari i PD-së, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama nga podiumi i konferencës për media ditën e sotme, se jo vetmë kishte përgatitur skenar gjakderdhës gjatë protestës së opozitës ditën e djeshme, por shenjëstroi edhe 4 prej tyre me plumba gome në kokë nga snajperat.
Ai akuzoi oficerin e lartë Sokol Bizhga si ekzekutori i urdhrave për të qëlluar dhe dhunuar protestuesit e opozitës. Berisha tha se 3 nga protestuesit u goditën në kokë dhe plagosën rëndë nga plumbat e gomës.
Ai u shpreh se Rama kërkon të shpëtojë plaçkën e tij të vjedhur dhe Lubinë (Belinda Ballukun), ndaj edhe po bën përpjekje për të derdhur gjakun e opozitarëve.
“Sokol Bizhga që tradhtoi kolegun e tij, e shiti të bandat kriminale dhe e dogjën të gjallë, kurse ky shpëtoi, ai njeri meriton të gjitha dënimet për tradhtinë e tij. Ky kriminel është sot ë pozitat më të larta të Policisë së Ramës. Ky urdhëroi snajperat që të qëllojnë 3 protestues… 4… më falni, 4 protestues, që në mënyrë absolute nuk po kryenin asnjë veprim ndaj efektivëve të rendit. Ilir Tufi, po filmonte kur u godit. Goditja me plumba gome në kokë, provohet në shumë raste si vdekjeprurës. Tjetër, Luan Lleshi, i goditur edhe ai pa asnjë motiv, Gent Dollapi i goditur edhe ai në kokë, me plagë dhe një zonjë. Pra, janë 4 protestues të plagosur, të qëlluar, tre prej tyre në kokë, me qëllim eliminimin fizik të tyre”, tha Berisha mes të tjera.
Më tej ai akuzoi Ramën për skenarin e zi të vrasjes së opozitarëve, për të mbrojtur vjedhjet e tij dhe Ballukun. Lideri i opozitës paralajmëroi kreun e mazhorancës se do mbante përgjegjësi.
“Edi Rama donte gjak, për të shpëtuar plaçkën që ka vjedhur vetë dhe Lubinë. Ky akt, qëllimi me snajper ndaj protestuesve paqësorë, dëshmon edhe njëherë lakminë për gjak që ka Edi Rama. E garantoj se do mbajë përgjegjësi deri në fund për urdhrin e djeshëm, për skenarin e djeshëm”, u shpreh lideri i PD.
Më tej Berisha tha se u dhunuan jo vetëm protestuesit, por edhe gazetarët dhe mediat, mes tyre edhe operatori i “News 24”:
“Janë të gjitha të filmuara, barbari e vërtetë ndaj gazetarëve, Arjan Hasimi mbeti i asfiksuar, një protestues tjetër me aftësi të kufizuara u mor zvarrë sikur të mos ishte njeri, u mor nga karroca e tij dhe u tërhoq zvarrë. Gazetarëve iu hodhën qëllimisht sasi të mëdha gazi që të mos kryenin detyrën e tyre. Ndaj një operatori të News 24 u hodh mjet piroteknik në drejtim të tij nga ana e policisë sigurisht, por se cili ishte mjeti mbetet për t’u verifikuar. U shoqëruan 25 vetë, nga të cilët 17 iu kanë komunikuar masën e arrestit, absolutisht pa asnjë fakt”, tha ai.
