Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka theksuar se nuk ka asnjë rol apo pozicion në politikën e Kosovës dhe se përpjekjet për ndërhyrje nga politikanët e Kosovës në Shqipëri i janë dukur qesharake
Në lidhje me këtë, opinionisti Xhevat Mustafa në një prononcim për “Bota sot”, thotë se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ndërhyrë në politikën e Kosovës më shumë se sa duhej, duke favorizuar PDK-në dhe treguar qëndrime armiqësore ndaj LVV-së dhe Albin Kurtit.
Ai lidh këtë me bashkëpunimin e Ramës me Aleksandar Vučić dhe ndikimin e diplomatit amerikan Richard Grenell gjatë mandatit të parë të Trump.
“Nuk përbën as fantazi, as befasi dhe as shtrembërim të së vërtetës nëse pas analizës së vëmendshme të veprimeve dhe qëndrimeve të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, do të dalë se ai, ndryshe nga sa e kishte për detyrë funksionale dhe si shqiptar, ka ndërhyrë më shumë se sa duhej dhe më shumë për të keq në politikën e Kosovës!? Kujtesa dhe arkivat ndihmojnë për konkretizim dhe saktësim. Ndërhyrjet e tij të hapura apo pak më të kujdesshme, janë vënë re e shprehur vazhdimisht në kohë e gjerësisht si shtrije, sidomos në vorbullën e raporteve dhe krizave të saj me Serbinë e në kuadër të sajesës së tij antishqiptare në bashkëpunim me mikun Aleksandar Vuçiç, të “Open Ballkanit” apo të “Ballkanit të hapur”.
Prania e tij në zhvillimet politike në Kosovë, sidomos në këta 10 vitet e fundit, është parë apo kuptuar sidomos gjatë fushatave apo betejave zgjedhore. Gjatë betejave zgjedhore ai nuk e ka fshehur afeksionin dhe pozicionimin e tij mbështetës sidomos ndaj PDK-së së Hashim Thaçit e ndaj atij si kryetar, kryeministër dhe president i kësaj partie! Njëherazi, nuk ka bërë përpjekje të bollshme e nuk ka arritur ti mbulojë qoftë edhe me degë kanabisi Shqipërie qëndrimet e tij tejet të ftohta apo armiqësore ndaj LVV dhe individualisht, ndaj liderit të saj, Albin Kurti. Pas ardhjes në Ballkan të diplomatit amerikan Richard Grenell, gjatë manadatit të parë presidencial të Donald Trump, më 2016-2020, u kuptua si çifti i miqve Vuçiç-Rama u shtua apo përforcua nga një misionar me lidhje të drejtpërdrejta me Shtëpinë e Bardhë apo edhe deri me hyrje e dalje në kabinetin presidencia”, shprehet ai.
Tutje, Mustafa thekson se deklaratat e Aleksandar Vučić për mosnjohjen e Kosovës janë mesazhe për miqtë e Serbisë në BE dhe SHBA, duke përfshirë edhe Edi Ramën.
Ai nënvizon se Vuçiç dhe aleatët e tij mbeten të vendosur për interesa të Serbisë, ndërsa qeveria e Albin Kurtit dhe presidentja Vjosa Osmanit përballen me presione dhe kërkesa diplomatike për të bërë lëshime në favor të Beogradit.
“Për të qenë sa më të saktë e të besueshëm, po e përcjell këtë deklaratë të tij, ashtu siç ia ka shprehur drejtueses më të lartë të BE-së, “…për Serbinë nuk është në pyetje njohja e Kosovës…Ky qëndrim i Serbisë nuk ndryshon!
Merret me mend se kjo deklaratë e Vuçiçit ishte adresuar më shumë për ata miq dhe mbështetës të Serbisë në BE dhe DASH që këmbëngulin në iluzionin dhe shpresën e tyre të kotë për ndryshim mendimi, qëndrimi, pozicioni…të tij ndaj Kosovës! Nënkuptohet se ishte përgjigje edhe për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në Tiranë apo në rrugës, në ndonjë udhëtim të ri me karterin e vet personal…, duke u vetëndjerë më pak zotërues i postit 10 vjeçar dhe më shumë “lider përtej ballkanik, kontinental, global”, sa mund të hartojë edhe drafte për zgjidhje krizash rajonale, duke “harruar” krizat e shumta në vendin e tij e nën hundën e tij!? Pra, më 31 tetor 2023 në Beograd dhe në vazhdimësi, nga takime dhe tribuna të tjera, Ursula von der Lyen mori mesazhin e qartë: Putin, Vuçiç… me “viça” të tjerë serbë, “nuk lëvizin nga “stallat” dhe “fushat” e tyre, pa lëvizur nga pozicionet dhe projekt- marrëveshjet e tyre, qartësisht në favor të Beogradit presidencial dhe qeveritar, Uashingtoni dhe Brukseli…” Arsyeja e kokëfortësisë së tyre është lehtësisht e kuptueshme! Vuçiçi dhe “kukullat e tij” e njohin mirë traditën se pas ca “nazeve, lojërave, qortimeve, kritikave, presioneve… diplomatike” BE dhe DASH do t’ua plotësojnë tekat dhe kërkesat e do t’i përkëdhelin si qëmoti… Njëherazi, e dinë pa kaq mirë se do të vazhdojnë t’u bëjnë kritika, presione, kërkesa, sanksione…qeverisë së Albin Kurtit dhe presidentes Vjosa Osmani, për t’u rrëmbyer lëshime të tjera në favor të Serbisë…së pangopur me copa të mëdha Dardanie dhe Shqipnie.” – shpejgon ai për “Bota sot”.
