Aktuale

“Edi Rama kërkon me çdo kusht gjak!”- Berisha akuza kryeministrit: Përdor policët si mish për top, siç bëri me qytetarët më 21 janar!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha para gazetarëve në konferencën e sotme, se protestat dhe revolta qytetare e shqiptarëve do të përfundojë vetëm kur të rrëzohet regjimi i urryer i Edi Ramës dhe Belinda Ballukut.

Ai akuzoi kreun e mazhorancës se kërkon vetëm gjak me çdo kusht dhe që të përdorë policët si “mish për top”, ashtu siç përdori qytetarët më 21 janar 2011.

Berisha mohoi se pati policë të plagosur në protestën opozitare të 10 shkurtit, duke vënë në dukje se qëllimi i protestuesve nuk është përballja me policët, por me regjimin e urryer dhe snajperistët që plagosën 3 prej tyre me plumba gome, molotovë dhe gaz lotsjellës, deri edhe deputetët opozitarë, si Bledjon Nallbati.

“Plagosën protestuesit tanë. Ata të tre mund të mos ishin sot. Njëri ka goditje në ball, tjetri në trup, mes tyre edhe një grua. Ai do me çdo kusht gjak (Rama). Vendosën snajperat. Policët e thjeshtë janë shumë më afër me protestuesit, sesa me organizatën kriminale të Ramës. Ndaj nuk kemi asnjë policë të plagosur. Problemi janë snajperët”, tha Berisha, duke iu përgjigjur një prej pyetjeve të gazetarëve, në lidhje me bilancin e protestës dhe reagimet.

Ai theksoi se qytetarët nuk shkojnë për dhunë në shesh dhe as për të sulmuar efektivët, teksa vuri në dukje se fytyrat e urryera të Ramës dhe Ballukut dolën në të gjitha mediat ndërkombëtare më 10 shkurt dhe revolta sa vjen e bëhet më e fortë.

“Nuk shkojnë aty për dhunë e për të qëlluar policët. Shkojnë për urrejtjen ndaj Edi Ramës, po, aty është përqendruar urrejtja popullore e gjithë. Por ky do t’i përdorë policët si mish për top, siç përdori qytetarët më 2011. Por kjo ndryshon, ne do e fitojmë këtë betejë, madje do fitojmë luftën. Ju e keni parë, protesta e 10 shkurtit ishte e jashtëzakonshme, të gjitha rrjetet televizive të botës, duke nxjerrë fytyrat e urryera të Belinda Ballukut dhe Edi Ramës, ju e patë vetë”, vijoi kreu i selisë blu.

Lideri i opozitës paralajmëroi kryeministrin se nuk do ndalen derisa t’i tregonin vendin, pasi në dokumente ai ka vetëm firma për vjedhje.

“Ndaj Edi Rama, nuk ndalemi derisa t’i tregojmë vendin ne, sepse ka vetëm vjedhje, firma, firma, s’ka gjë tjetër ai…”, përfundoi Berisha.

Të Ngjashme